Përgatiti: Leonard Veizi
Në fillim të shekullit XX, Amerika po hynte me shpejtësi në epokën e automobilit. Makinat po shtoheshin, industria automobilistike po zhvillohej dhe udhëtimi me rrota premtonte të ndryshonte mënyrën se si njerëzit jetonin e komunikonin. Por kishte një problem të madh: Shtetet e Bashkuara nuk kishin një rrjet rrugor që të mundësonte kalimin e vendit nga njëri bregdet në tjetrin. Jashtë qyteteve, rrugët ishin kryesisht të paasfaltuara, me baltë në ditët me shi, pluhur në verë dhe shpesh të pakalueshme për automjetet.
Ideja për të ndërtuar një rrugë që do të lidhte brigjet e Atlantikut me ato të Paqësorit lindi nga sipërmarrësi amerikan Karl Fisher (Carl G. Fisher), një nga figurat e rëndësishme të industrisë së automobilave. Ai mendonte se zhvillimi i makinës nuk mund të ecte përpara pa një infrastrukturë të përshtatshme. Nëse amerikanët do të kishin një rrugë të vazhdueshme nga lindja në perëndim, automobilizmi do të shndërrohej nga një luks për të pasurit në një mundësi reale udhëtimi për një pjesë shumë më të madhe të popullsisë.
Më 1 korrik 1913, në Detroit, u krijua Shoqata e Autostradës Linkoln, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të industrisë automobilistike dhe biznesmenëve. Projekti mori emrin e Abraham Linkolnit, presidentit të 16-të të Shteteve të Bashkuara, si një homazh për figurën që kishte ruajtur bashkimin e vendit gjatë Luftës Civile Amerikane.
Më 14 shtator 1913 u shpall zyrtarisht itinerari i rrugës. Ajo do të niste nga Sheshi Tajms në Nju Jork dhe do të përfundonte në Parkun Linkoln të San-Franciskos, duke përshkuar territorin amerikan nga lindja në perëndim.
Më 31 tetor 1913, projekti u përurua njëkohësisht në qindra qytete përgjatë itinerarit. Festimet përfshinë parada automobilistike, koncerte, fjalime, zjarre festive dhe fishekzjarrë. Në disa qytete rrugët u pastruan e u përgatitën posaçërisht për ceremonitë. Ishte një ngjarje që kishte marrë përmasa kombëtare. Për herë të parë, amerikanët kishin një itinerar të përcaktuar që lidhte dy brigjet e vendit.
Autostrada fillestare ishte 3.389 milje e gjatë, ose rreth 5.454 kilometra, dhe kalonte nëpër 13 shtete. Duhet theksuar se ajo nuk ishte një autostradë moderne, e asfaltuar në të gjithë gjatësinë e saj. Në vitin 1913, më pak se gjysma e itinerarit kishte rrugë të përmirësuara. Pjesa tjetër përbëhej nga rrugë ekzistuese, shtigje të vjetra dhe segmente që kërkonin ndërhyrje të mëtejshme.
Udhëtimi nga Nju Jorku në San-Francisko ishte një aventurë më vete. Sipas vlerësimeve të kohës, një automobilisti i duheshin rreth 20 deri në 30 ditë për të përshkuar të gjithë itinerarin. Balta në Ajova, rëra në shkretëtirat e Nevadës dhe Jutës, përmbytjet, urat e dëmtuara dhe problemet mekanike ishin pjesë e zakonshme e udhëtimit. Nuk kishte as komoditetin dhe as sigurinë që ofrojnë sot autostradat amerikane.
Rëndësia e Autostradës Linkoln nuk qëndronte vetëm te lidhja fizike e dy brigjeve. Ajo u shndërrua në një nxitje për ndërtimin e rrjetit kombëtar rrugor. Përgjatë saj u zhvilluan qytete të vogla, pika karburanti, hotele, restorante dhe shërbime për udhëtarët. Rruga krijoi një ekonomi të re, të lidhur me automobilin dhe lëvizjen e lirë të njerëzve e mallrave.
Në vitin 1919, edhe ushtria amerikane organizoi një ekspeditë automobilistike përgjatë saj, për të provuar mundësitë e transportit tokësor në rast lufte. Në atë udhëtim mori pjesë edhe një oficer i ri, i quajtur Dvajt Ajzenhauer, i cili shumë vite më vonë, si president i Shteteve të Bashkuara, do të bëhej nismëtari i sistemit modern të autostradave ndërshtetërore.
Me kalimin e kohës, itinerari pësoi ndryshime. Në vitin 1928, një devijim e çoi rrugën edhe përmes Virxhinias Perëndimore, duke e çuar në 14 numrin e shteteve nëpër të cilat kaloi gjatë historisë së saj. Gjatësia e përgjithshme e të gjitha varianteve të itinerarit, të marra së bashku, arrin rreth 9.450 kilometra. Kjo shifër nuk përfaqëson gjatësinë e rrugës fillestare të vitit 1913.
Autostrada Linkoln u bë pararendëse e një kulture të re udhëtimi. Me krijimin e sistemit federal të rrugëve në vitin 1926, pjesë të mëdha të saj u përfshinë në rrugët e reja të numërtuara. Më vonë, ndërtimi i sistemit të autostradave ndërshtetërore, i nisur në vitet 1950, mori përsipër një pjesë të funksionit që dikur kishte pasur kjo rrugë historike.
Sot, Autostrada Linkoln kujtohet si rruga e parë e madhe automobilistike që përshkoi Shtetet e Bashkuara nga njëri oqean në tjetrin. Ajo nuk ishte thjesht një vijë në hartë, por një projekt që ndihmoi të ndryshonte marrëdhënien e amerikanëve me distancën, kohën dhe hapësirën.
Amerika kishte gjetur një mënyrë të re për të udhëtuar drejt Perëndimit. Dhe kjo rrugë mbante emrin e presidentit që dikur kishte luftuar për të mos lejuar ndarjen e saj.
