Nga Leonard Veizi
Në errësirën e ftohtë të fund-tetorit, kur fushat ngjyrë-kafe shtrihen deri në horizont dhe era sjell aromën e stinës që mbaron, kelët festonin Samhainin. Kjo ishte dita që shënonte fundin e verës dhe të korrjes, dhe fillimin e dimrit të errët. Sipas besimit të tyre, në këtë natë, porta mes botës së të gjallëve dhe Mbretërisë së të Vdekurve hapej.
Në këtë agjendë kozmike, njerëzit ndiznin zjarre të mëdha dhe qirinj në varret e të parëve. Dritat e vogla flakërinë si yje të ulët mbi tokë, duke shënuar një urë mes dy botëve. Qëllimi ishte dyfish: të nderonin shpirtrat e të mirëve dhe të trembnin apo dëbonin shpirtrat keqbërës. Kjo ishte nata kur heshtja dhe kujtesa ishin më të rëndësishme se çdo fjalë, kur shpirti i së kaluarës përqafohej butësisht nga ai i së tashmes.
Mbi shekuj, kur Krishtërimi u përhap, kjo traditë pagane nuk u zhduk, por u transformua. Kisha Katolike vendosi “Ditën e Gjithë Shenjtorëve” – “All Saints’ Day” siç njihet në gjuhën angleze, – më 1 Nëntor, dhe nata e saj e mëparshme u quajt “All Hallows’ Eve” – Fjala prej nga lindi Halloween. Ky zhvendosje ishte një përpjekje për të “shenjtëruar” ritet e lashta, duke i kthyer shpirtrat në shenjtorë dhe martirë.
Megjithatë, vala e vërtetë e transformimit erdhi me emigrimin në Amerikë. 31 Tetori u bë Halloween-i i sotëm, një natë ku frika, kostumet dhe karamelat pushtuan rrugët. Të vdekurit u kthyen në maska zbavitëse – zombie, fantazma, shtriga – dhe simbolika e thellë u zëvendësua me argëtim dhe konsum. Biznesi, me qirinjtë, kostumet dhe dekorimet, shpërndau dritën e tij artificiale mbi ritualin e vjetër, duke kthyer një çast reflektimi dhe frike të shenjtë në një spektakël të zhurmshëm.
Por, mes kësaj zhurme dhe qeshjeje të pakontrolluar, kujtesa e hershme vazhdon të fërkojë brenda nesh. Një qiri i vetëm në dritën e hënës, një shenjë e heshtur respekti për ata që na dhanë jetën, mund të rikthejë atë lidhje të vjetër. 31 Tetori mbetet një kujtesë e fortë se jeta dhe vdekja nuk janë të ndara, se çdo frymë që ikën lë pas një shteg që duhet ndjekur me respekt dhe reflektim.
Kjo datë, edhe pse e panjohur më parë, tanimë ka krijuar një lloj tradite edhe në Shqipëri. Apo më mirë të themi: ka krijuar trendin e saj të ri.
Ndoshta mes kostumeve të frikshme dhe karameleve, fshihet një pyetje e heshtur dhe e rëndësishme: A e përdorim këtë natë thjesht për t’u larguar nga frika e vdekjes përmes argëtimit, apo ndalemi për të përqafuar, qoftë edhe për një çast, kujtimin e thellë të atyre që nuk janë më?
Në fund, 31 Tetori mbetet dita kur të gjallët mund të ndiejnë, nën maska dhe hije, praninë e përjetshme të të vdekurve.
