Last Updated on 25/05/2026 by Anisa
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla gjatë një konferencë për shtyp deklaroi se deri tani në total vendi janë bashkuar në Shpoqëritë e Bashkimit Bujqësor 334 fermerë në 26 bashki të vendit.
Sipas tij, puna vijon për të përfshirë edhe më shumë fermerë në këtë proces.
“Po punohet me 26 bashkitë e para në vend, ku deri tani janë bashkuar 334 fermerë përmes modeleve të bashkëpunimit bujqësor.
Aktualisht në vend funksionojnë 58 Shoqëri të Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB), ndërsa janë krijuar edhe 84 modele të tjera bashkëpunimi privat dhe shtetëror.
Modelet e bashkëpunimit janë shtrirë në disa sektorë dhe zona të vendit. Fruta-perimet po zhvillohen në Fier, Divjakë, Lezhë dhe Cërrik, ndërsa ulliri dhe vaji i ullirit në Berat, Elbasan, Lushnjë dhe Vlorë.
Bimët medicinale dhe aromatike po zhvillohen në Malësi e Madhe dhe Belsh, qepa dhe farat në Shkodër, patatja në Kukës, drithërat në Durrës dhe arrat në Kolonjë.
Sipas ministrit, procesi i krijimit të këtyre modeleve po vijon edhe në Patos, Shijak dhe Shkodër.
Ministri Salla theksoi se ky model bashkëpunimi ndihmon në uljen e kostove, garantimin e tregut, magazinimin dhe paketimin e produkteve bujqësore, duke sjellë deri në 25-30% më pak kosto për fermerët. Sipas tij, ky është një model i ndjekur edhe nga Bashkimi Europian.
