Last Updated on 10/12/2025 by EL
Bashkimi Europian u ka dhënë statusin e mbrojtjes së përkohshme 4.3 milionë personave të zhvendosur nga Ukraina, sipas shifrave të muajit tetor të publikuara sot nga Eurostat.
Vendet e BE-së që strehuan numrin më të lartë të përfituesve të mbrojtjes së përkohshme nga Ukraina ishin Gjermania (1 229 960 persona; 28.6% e totalit të BE-së), Polonia (965 005; 22.5%) dhe Çekia (393 005; 9.1%).
Në tetor 2025, vendet e BE-së lëshuan 74 175 vendime të reja që ofronin mbrojtje të përkohshme. Ky është totali i dytë më i lartë mujor në vitin 2025, pas kulmit që u arrit në shtator (79 525).
Këta numra të lartë vijnë pas një dekreti nga qeveria ukrainase në fund të gushtit 2025, i cili u jep burrave të moshës 18 deri në 22 vjeç të drejtën për t’u larguar nga Ukraina pa pengesa.
Më 31 tetor 2025, qytetarët ukrainas përfaqësonin mbi 98.4% të përfituesve të mbrojtjes së përkohshme në BE. Gratë e rritura përbënin 43.8% të përfituesve. Të miturit përbënin pothuajse një të tretën (30.8%), ndërsa burrat e rritur përbënin pak më shumë se një të katërtën (25.5%) të totalit./e.t
