Shumë prej nesh përdorin orë inteligjente që matin hapat, pajisje që vlerësojnë gjumin apo mjete që monitorojnë rrahjet e zemrës, me shpresën se ndryshimet e vogla në stilin e jetesës do të na ndihmojnë të jetojmë më gjatë.
Por, sipas ekspertëve, këto mjete nuk janë domosdoshmërisht mënyra më e mirë për të mbështetur shëndetin ndërsa plakemi. Në një anketë të dytë vjetore për plakjen e shëndetshme, 63 profesionistë të shëndetit, përfshirë ekspertë të jetëgjatësisë, dietologë, mjekë, shkencëtarë, specialistë të aktivitetit fizik dhe farmacistë, ranë dakord se zakonet bazë shpesh janë më të rëndësishme se metodat e sofistikuara për “optimizimin” e shëndetit.
Në vend që të përqendroheni vetëm te rrahjet e zemrës apo numri i hapave, ekspertët sugjerojnë të riktheheni te gjërat që janë dëgjuar prej vitesh: aktiviteti fizik, ushqyerja e ekuilibruar dhe gjumi cilësor.
Megjithatë, anketa zbuloi edhe katër faktorë më pak të dukshëm që mund të ndikojnë në mënyrën se si plakemi.
1. Izolimi shoqëror
Ekspertët e përfshirë në anketë ranë gjerësisht dakord se izolimi shoqëror, pra mungesa e kontakteve të rregullta dhe kuptimplotë me njerëzit, është një nga faktorët më të nënvlerësuar që mund të përshpejtojë plakjen biologjike.
Izolimi mund të dëmtojë ndjenjën e qëllimit dhe përmbushjes, të ndikojë te shëndeti mendor, të shtojë stresin dhe të prishë gjumin. Në këtë mënyrë, një problem mund të ndikojë tek tjetri dhe pasojat të grumbullohen gradualisht.
Edhe kërkimet kanë lidhur aktivitetet shoqërore dhe intelektuale me funksion më të mirë të trurit tek të rriturit në moshë më të madhe. Vetmia dhe izolimi shoqëror, nga ana tjetër, janë lidhur me mundësi më të ulëta për një plakje të shëndetshme.
2. Çrregullimi i ritmit të gjumit
Ritmi i gjumit dhe zgjimit është një tjetër faktor që shpesh nuk merr aq vëmendje sa cilësia e gjumit.
Me kalimin e moshës, prodhimi i melatoninës mund të ndryshojë dhe ta bëjë më të vështirë ruajtjen e një orari të qëndrueshëm gjumi. Kërkimet sugjerojnë se çrregullimet e këtij ritmi mund të jenë të lidhura me procesin e plakjes.
Aktiviteti i rregullt fizik, shmangia e vakteve shumë pranë orarit të gjumit dhe përdorimi i barnave vetëm sipas këshillës së mjekut mund të ndihmojnë në ruajtjen e një ritmi më të shëndetshëm.
3. Stresi kronik
Stresi është pothuajse i pamundur të shmanget plotësisht, por problemet e vogla të përditshme mund të grumbullohen me kalimin e kohës dhe të krijojnë një gjendje stresi të vazhdueshëm.
Sipas kërkimeve, stresi kronik mund të ndikojë në plakjen biologjike. Kur trupi qëndron për një kohë të gjatë nën stres, mund të dëmtohen qelizat dhe të rritet inflamacioni kronik.
Prandaj, identifikimi i burimeve të vogla dhe të përsëritura të stresit gjatë ditës dhe gjetja e mënyrave për t’i reduktuar ato mund të bëjë ndryshim me kalimin e kohës.
4. Toksinat në mjedis
Mikroplastikat dhe substancat kimike që ndikojnë në sistemin hormonal janë një tjetër faktor që mund të anashkalohet kur flitet për plakjen e shëndetshme.
Është e vështirë të shmanget plotësisht ekspozimi ndaj tyre, por mund të reduktohet. Për shembull, ekspertët sugjerojnë të shmangni ngrohjen e ushqimit në enë plastike kur është e mundur dhe të zgjidhni enë qelqi ose çeliku për ruajtjen e ushqimit.
Disa substanca kimike të pranishme në mjedis mund të ndikojnë në procese biologjike të lidhura me plakjen, përfshirë stresin oksidativ, funksionimin e mitokondrive dhe inflamacionin kronik. Meqë ekspozimi mund të zgjasë për vite, ndikimi i tij i grumbulluar në shëndet mbetet një fushë e rëndësishme studimi.
Faktorë të tjerë që ndikojnë në plakje
Ekspertët përmendën edhe disa faktorë të tjerë që meritojnë vëmendje. Për shembull, suplementet ushqimore nuk u renditën ndër tre zakonet kryesore për një plakje të shëndetshme, të cilat ishin aktiviteti fizik, ushqyerja e mirë dhe gjumi.
Sa i përket grave, ekspertët veçuan humbjen e dendësisë së kockave dhe masës muskulore gjatë periudhës para dhe gjatë menopauzës, zbulimin e vonuar të sëmundjeve të zemrës dhe menaxhimin jo optimal të trajtimeve hormonale.
Për këtë arsye, këshillohet që gratë të diskutojnë në mënyrë proaktive me mjekun për shëndetin e kockave, forcën muskulore, tensionin e gjakut dhe simptomat e menopauzës.
Si të mbështesni një plakje të shëndetshme
Në fund, ekspertët bien dakord se bazat shpesh janë më të rëndësishme se metodat e sofistikuara të jetëgjatësisë.
Bëni lloje të ndryshme aktiviteti fizik. Përfshini si ushtrime për zemrën dhe qarkullimin, ashtu edhe ushtrime për forcimin e muskujve.
Mbani një ushqyerje të ekuilibruar. Një regjim ushqimor i pasur me lëndë ushqyese, përfshirë modelin mesdhetar, mund të mbështesë plakjen e shëndetshme.
Kujdesuni për gjumin. Gjumi cilësor dhe çlodhës është i rëndësishëm. Synoni rreth 7–9 orë gjumë çdo natë.
Mos lini pas dore marrëdhëniet shoqërore. Lidhjet kuptimplota me njerëzit mund të ndihmojnë në ruajtjen e funksioneve njohëse dhe në ngadalësimin e disa proceseve të plakjes biologjike.
Kryeni kontrollet parandaluese. Bashkëpunoni me mjekun për të monitoruar treguesit e rëndësishëm të shëndetit./k.m
