Me uljen e temperaturave dhe rikthimin e batanijeve e pulovrave të trasha, është koha të përgatitni shtëpinë për dimër. Krahas kujdesit për pajisjet e kopshtit dhe kontrollit të sistemit të ngrohjes, në listën e punëve duhet të përfshini edhe dritaret. Ato mund të lejojnë hyrjen e ajrit të ftohtë dhe humbjen e nxehtësisë, duke e bërë shtëpinë më pak të ngrohtë dhe duke rritur konsumin e energjisë.
1. Hyn ajër nga kornizat
Kur dritaret nuk mbyllen mirë, ajri i ftohtë depërton brenda, ndërsa nxehtësia del jashtë. “Rrjedhjet” e ajrit në një shtëpi mund të jenë aq të mëdha sa të barazohen me lënien e një dritareje krejtësisht të hapur gjatë gjithë dimrit. Dritaret janë ndër burimet kryesore të këtij problemi.
Për të kontrolluar nëse ka rrjedhje, ekspertët sugjerojnë të afroni një qiri të ndezur ose një shkop aromatik pranë kornizës së dritares, mundësisht në një ditë me erë. Nëse flaka lëviz ose tymi devijohet anash, ka gjasa që ajri të depërtojë nga aty.
Për të mbyllur hapësirat, mund të përdorni silikon izolues, shkumë izoluese që zgjerohet dhe shirita izolues për dritare.
2. Xhamat mjegullohen ose krijojnë kondensim
Nëse vini re një shtresë të turbullt ose pika të vogla uji që nuk fshihen, problemi mund të jetë te izolimi i dritareve me dopio xham. Kur guarnicioni nuk funksionon më siç duhet, gazi izolues mund të dalë nga hapësira mes dy xhamave.
Dritarja mund të vazhdojë të funksionojë normalisht, por humbet aftësinë izoluese. Kur xhami ftohet, kjo mund të shkaktojë kondensim brenda shtëpisë.
Nëse korniza është ende në gjendje të mirë, mund të mjaftojë zëvendësimi i njësisë së xhamit nga një specialist. Por, nëse edhe korniza është konsumuar, mund të jetë më e arsyeshme të zëvendësohet e gjithë dritarja.
3. Xhamat janë të papastër
Pastrimi i dritareve mund të duket thjesht çështje pamjeje, por ndikon edhe në efikasitetin energjetik të shtëpisë. Xhamat e pastër lejojnë që më shumë rreze dielli të hyjnë brenda, duke ndihmuar në ngrohjen e ambientit gjatë dimrit.
Pastrimi ndihmon gjithashtu veshjet e posaçme të xhamave, të njohura si veshje me emetim të ulët, të funksionojnë siç duhet. Ato lejojnë kalimin e dritës së diellit nga jashtë, ndërsa reflektojnë një pjesë të nxehtësisë së brendshme sërish drejt ambientit të shtëpisë.
4. Dritaret nuk hapen ose nuk mbyllen siç duhet
Përveç rrjedhjeve të ajrit dhe kondensimit, kushtojuni vëmendje edhe dritareve që hapen, mbyllen ose kyçen me vështirësi. Nxehtësia e verës mund të shkaktojë zgjerimin e kornizave prej druri dhe lëvizje të strukturës së shtëpisë.
Nëse dritarja nuk afrohet plotësisht me kornizën dhe nuk kyçet dot, guarnicioni mes pjesëve të saj mund të mos mbyllet mirë. Si pasojë, ajri i ftohtë mund të depërtojë brenda.
Fillimisht, pastroni papastërtitë nga kanalet ku rrëshqet dritarja dhe lubrifikoni menteshat e kanalet me spërkatës silikoni. Kontrolloni gjithashtu vidat dhe shtrëngoni ato që janë liruar, në mënyrë që mekanizmi i kyçjes t’i afrojë fort pjesët e dritares me njëra-tjetrën.
Nëse druri është deformuar, mund të vendosni një guarnicion prej shkume ose një shirit izolues përgjatë pjesës ku mbështetet dritarja./k.m
