Analisti Andi Tela, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka folur për protestën e cila është tashmë në ditën e dyzetë.
Tela tha se ka patur dy momente kulmore të protestës ku në shesh u mblodhën dhjetëra mijëra vetë, por organizatorët duhet të gjejnë zgjidhje se si do të vijojë në ditët e korrikut dhe gushtit, kur ka më pak vëmendje dhe temperatura të larta.
“Askush nuk e priste që protesta të shkonte 40 ditë. Thoshin do të fillojë vera, pushimet, Kampionati Botëror dhe do të pakësohen. Por kampionati po mbaron dhe proetsta po vazhdon.
Ajo që po ndodh është dukuri e pritshme. Një pjesë e njerëzve mund të lodhen apo të kenë angazhime të tjera. Protesta ka patur dy ditë kulmore, me dhjetëra mijëra.
Pyetja është si vijon më tej. Ka përpara dy muaj, sidomos gushti, me idenë se duhet të kalojën dy muajt e nxehtë për ta riformësuar në shtator, kur fillon jeta reale e vendit dhe mund të ketë zgjerim të pjesëmarrësve. E rëndësishme është që grupi organizator të gjejë mënyrën se si ta zhvillojë në këto muaj.
Ka një grup që mendojnë se duhet të ketë një Kuvend ku organizatorët të vendosin si të vijojë dhe një grup tjetër, që mendon se duhet të vijojë kështu.
Të gjithë kanë rënë dakord për pesë kërkesat e protestës. Pikëpyetja se si do të vijojë, varet nga ata që e kanë organizuar.
Në këtë rast kemi polarizim të protestës dhe një grup organizator, por jo një grup që vendos si do të vijojë protesta. Ky është thelbi që e kanë në dorë organizatorët për të gjetur një zgjidhje”, deklaroi Tela./mxh
