Dërgesa e parë e naftës ruse drejt Shteteve të Bashkuara, pas marrëveshjes së papritur mes Moskës dhe presidentit amerikan Donald Trump, është nisur drejt Nju Jorkut.
Marrëveshja u njoftua nga Trump këtë muaj, në kuadër të përpjekjeve të tij për të ulur çmimet e larta të naftës përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA, të planifikuara për 3 nëntor.
Si pjesë e marrëveshjes, Trump lehtësoi zbatimin e disa masave të reja amerikane të sanksioneve ndaj Rusisë. Ai gjithashtu paralajmëroi vendet evropiane se mund të përballen me ndalimin e eksporteve amerikane të naftës nëse nuk përdorin më shumë nga rezervat e tyre të emergjencës për të ndihmuar në uljen e çmimeve.
Anija cisternë Agioi Fanendes, e cila mban flamurin e Maltës, u ngarkua me 40 mijë tonë naftë me përmbajtje shumë të ulët squfuri në portin rus të Primorskut, në Detin Baltik, më 22 tetor. Sipas të dhënave të transportit detar, ajo pritet të mbërrijë në SHBA më 7 nëntor.
Deri më tani nuk është bërë e ditur se kush janë blerësi dhe shitësi i ngarkesës. Kjo do të jetë dërgesa e parë e naftës dhe produkteve të naftës ruse të importuara nga SHBA-të që nga viti 2022, kur ish-presidenti Joe Biden ndaloi këto importe pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.
Më 9 tetor, Trump njoftoi se Rusia do të eksportonte menjëherë 300 mijë tonë naftë, ose rreth 2.25 milionë fuçi, drejt SHBA-ve dhe tregjeve ndërkombëtare. Sipas planit të bërë publik, në nëntor do të dërgoheshin edhe 500 mijë tonë, ndërsa më pas do të vijonte një dërgesë tjetër prej një milion tonësh.
Të premten, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmoi se anija e parë në kuadër të marrëveshjes ishte nisur drejt blerësve. Megjithatë, ai nuk saktësoi nëse destinacioni i saj ishin SHBA-të apo një treg tjetër. Marrëveshja përfshin edhe heqjen e ndalimit të vendosur nga vetë Rusia për eksportet e naftës.
Pas embargos së plotë të Bashkimit Evropian ndaj importeve të produkteve të naftës ruse në shkurt të vitit 2023, Moska i ka orientuar eksportet kryesisht drejt Turqisë, Brazilit dhe vendeve afrikane. Rusia furnizon gjithashtu vendet e Azisë Qendrore përmes transportit hekurudhor.
Të dhënat e publikuara këtë javë tregojnë se, pas heqjes së kufizimeve nga Moska, cisternat ruse po rifillojnë dërgesat drejt tregjeve tradicionale. Të paktën dy anije kanë sinjalizuar se po lundrojnë drejt Turqisë dhe Brazilit, ndërsa destinacionet e disa ngarkesave të tjera mbeten të paqarta.
Zëvendëskryeministri rus Alexander Novak deklaroi se dërgesat drejt SHBA-ve do të vazhdojnë, ndërsa kompanitë e të dy vendeve po përpiqen të zgjidhin çështjet kontraktuale dhe të pagesave. Sipas tij, Rusia mund t’i rikthejë eksportet e naftës në nivelet e zakonshme prej 3 deri në 3.5 milionë tonësh në muaj deri në fund të vitit.
Ndërkohë, i dërguari i presidentit rus Vladimir Putin, Kirill Dmitriev, tha javën e kaluar se Departamenti amerikan i Thesarit i kishte kërkuar fondit sovran rus, të cilin ai drejton, të ndihmonte në zgjidhjen e problemeve të ndërlikuara të pagesave që lidhen me marrëveshjen.
Dërgesa e parë drejt SHBA-ve shënon një zhvillim të rëndësishëm në tregtinë energjetike mes dy vendeve, në një kohë kur administrata Trump po përpiqet të ulë çmimet e karburanteve dhe Rusia synon të zgjerojë sërish eksportet e saj të naftës./mxh
