Në një konferencë për shtyp në kuadër të Festivalit të Filmit në Venecia, Ashley St. Clair bëri një deklaratë të fortë për ish-partnerin e saj, Elon Musk. Influencuesja pretendoi se manjati i teknologjisë i kishte ofruar 40 milionë dollarë në këmbim të heshtjes së saj dhe që të mos fliste publikisht për të para kamerave.
“Kur të ofrojnë diçka të tillë, fillon të pyesësh veten se çfarë vlere ka ajo që ke për të thënë dhe pse dikush është i gatshëm të paguajë kaq shumë para që ti të mos flasësh”, u shpreh St. Clair, 28 vjeç.
Deklaratat e saj erdhën përpara shfaqjes së dokumentarit “Musk”, që eksploron aspekte të ndryshme të jetës së sipërmarrësit, nga karriera dhe betejat në biznes, te jeta personale, politika dhe ndikimi i tij në rrjetet sociale.
Dokumentari trajton gjithashtu familjen e Musk, i cili ka 14 fëmijë me katër partnere, si edhe afrimin e tij gjithnjë e më të madh me politikën amerikane dhe Donald Trump.
St. Clair dhe Musk kanë një fëmijë së bashku, Romulus, ndërsa aktualisht janë përfshirë në një betejë ligjore për kujdestarinë e tij. Influencuesja, e cila më parë kishte shprehur publikisht mbështetjen e saj për të Djathtën Amerikane, tha se sot e sheh atë periudhë si një gabim të nxituar.
“Kam qenë naive”, tha ajo, duke shtuar se kjo nuk e justifikon atë që ka ndodhur dhe se shpreson që vendimi për të folur publikisht të mund të ketë një ndikim pozitiv.
Sipas St. Clair, një nga arsyet kryesore pse vendosi të flasë është dëshira për t’u dhënë një shembull fëmijëve të saj. Ajo tha se nuk dëshiron që ata të mësojnë të sakrifikojnë të vërtetën vetëm për të ruajtur sigurinë materiale.

Nga ana tjetër, Musk nuk ka komentuar publikisht mbi pretendimin e St. Clair. Megjithatë, ai ka kritikuar më herët regjisorin e dokumentarit, Alex Gibney, duke e akuzuar për njëanshmëri dhe duke thënë se materiali do të ishte një sulm i ashpër ndaj tij.
Gibney i është përgjigjur këtyre kritikave duke thënë se kishte nisur punën me një qëndrim pozitiv ndaj Musk, por se gjatë procesit kishte ndjekur faktet dhe ato e kishin çuar në një histori tjetër.
“Fillova si një lloj fansi i tij dhe kisha një dëshirë të sinqertë për të folur me të, por ai nuk pranoi”, tha regjisori, duke shtuar se më pas puna e tij ishte përqendruar te kërkimi i fakteve dhe ndjekja e tyre.
Në qendër të vëmendjes tani është dokumentari “Musk”, por edhe deklaratat e Ashley St. Clair, të cilat rikthejnë vëmendjen te marrëdhënia e saj me miliarderin dhe beteja ligjore mes tyre./k.m
