Bota digjitale premtoi lidhje dhe fuqizim – por për miliona gra, ajo është bërë një vend gjuetie.
Vajzat e shkollës po përballen me pamje nudo të rreme të tyre që qarkullojnë në mediat sociale. Gratë drejtuese të bizneseve po vihen gjithnjë e më shumë në shënjestër të montazheve të rreme (deepfakes) dhe fushatave të koordinuara të ngacmimit. Në mënyrë të ngjashme, gratë me profil të njohur publik përballen me valë abuzimi të shfrenuar: një ndër katër gazetare dhe një ndër tre deputete parlamentare në mbarë botën raportojnë kërcënime për dhunë fizike, përfshirë edhe kërcënime me vdekje, që u bëhen në internet.
Jetë të ndryshme, kontekste të ndryshme – i njëjti model sjelljeje! Ky është abuzimi digjital – një nga format e dhunës me bazë gjinore me rritjen më të shpejtë, që nuk njeh kufij shtetërorë dhe është e përhapur në të gjitha platformat, duke kërcënuar gratë dhe vajzat kudo – si në internet ashtu edhe jashtë tij.
Ekspertet thonë se problemi ka marrë përmasa të jashtëzakonshme: Të dhënat nga UN Women tregojnë se në Shqipëri 41% e vajzave dhe grave të moshës mbi 18 vjeç kanë përjetuar të paktën një nga format e dhunës së ushtruar përmes teknologjisë, ndër të cilat më të rrezikuarat janë vajzat dhe gratë e reja dhe të arsimuara (18-24 vjeç). Gjatë tre viteve të fundit, 58% e viktimave të abuzimeve në internet kanë qenë gra dhe vajza, të cilat, si rezultat i përndjekjes kibernetike, zhvatjes përmes internetit dhe gjuhës së urrejtjes, kanë pasur pasoja të rënda për shëndetin, sigurinë emocionale dhe jetën shoqërore të tyre.
Abuzimi nuk kufizohet vetëm brenda hapësirës së internetit. Vetëm në pak sekonda, abuzimi në internet mund të shkatërrojë shëndetin mendor, të rrënojë marrëdhëniet personale dhe t’i japë fund karrierës së një personi. Ai mund të përhapet edhe në jetën reale, duke u përshkallëzuar në përndjekje ose dhunë fizike, madje deri në vdekje.
UN Women paralajmëron se kjo vijë e re fronti në dhunën ndaj grave po intensifikohet dhe përhapet me shpejtësi. Gratë dhe vajzat kanë nevojë gjithashtu për informacion dhe mjete për të dalluar shenjat më të para të abuzimit, për të ndërmarrë veprime, dhe për të rifituar hapësirën e tyre digjitale.
Çfarë është abuzimi digjital?
Abuzim digjital (që njihet edhe si dhunë ndaj grave dhe vajzave e mundësuar përmes teknologjisë) përfshin një spektër të gjerë sjelljesh të dhunshme. Ai mund të shfaqet si:
Ngacmim në internet dhe përndjekje kibernetike: dërgimi i mesazheve të pareshtura, të padëshiruara; dërgimi i pamjeve nudo në hapësirën kibernetike; fotografi apo filmime të bëra vjedhurazi, pa lejen e personit; mbajtja nën vëzhgim, si gjurmimi i vendndodhjes ose monitorimi i aktiviteteve tuaja.
Abuzim me përdorim të montazheve të rreme digjitale (deepfake): shpërndarja e fotove ose pamjeve private pa marrje pëlqimi; krijimi i përmbajtjeve seksuale me përdorim të inteligjencës artificiale përmes ndërthurjes, bashkimit ose mbivendosjes së fotografive dhe videove për të krijuar deepfakes. Këto njihen ndonjëherë edhe si pornografi për hakmarrje.
