Last Updated on 30/03/2026 by EL
Pas 50 vjetësh punë, A. Ç. mbushi moshën për të dalë në pension. Kishte filluar të punonte që fëmijë dhe tani ishte kohë të gëzonte frytet e sakrificës, ndaj kërkoi nga Sigurimet Shoqërore, edhe pension suplementar për 31 vite që ia dedikoi shërbimit ushtarak, me disiplinë, sakrificë dhe betim ndaj vendit.
Për habinë e tij, shtesa e pensionit si ushtarak nuk ju njoh. Ai ju drejtua gjykatës, por për 4 vjet me radhë e gjeti veten të bllokuar në Gjykatën Administrative të Apelit, pa asnjë datë gjykimi, pa asnjë përgjigje.
Një njeri që ka shërbyer për tre dekada në ushtri, nuk dorëzohet lehtë. Ai iu drejtua Avokatit të Popullit për të kërkuar atë që i takonte.
Institucioni ka ndërhyrë menjëherë pranë gjykatës, duke kërkuar marrjen e masave administrative dhe caktimin të një date shqyrtimi. Rekomandimi i Avokatit të Popullit u pranua.
Pas 4 vitesh pritje në pritje, zoti A.Ç. mori më në fund datën e gjyqit dhe një përgjigje përfundimtare për të drejtën e tij. Sot, ai nuk është më një dosje në stok, por një qytetar që gëzon frytet e punës së tij të gjatë.
“Avokati i Popullit është mburoja për çdo pensionist dhe ushtarak që kërkon drejtësi për mundin e një jete. Nëse edhe ju po përballeni me vonesa të pafundme për pensionin tuaj, mos hezitoni. Trokisni në derën tonë”, thotë institucioni.
