Këshilluesi i stilit, Liri Nikqi, ishte i ftuar pasditen e djeshme përmes një lidhjeje live në emisionin “Ftesë në 5”, ku ndau me moderatoren Bieta Sulo disa nga detajet e dasmës së vëllait të këngëtares Bebe Rexha. Festa, e cila ka tërhequr vëmendjen e publikut dhe është bërë virale në rrjetet sociale, duket se ka qenë një organizim madhështor, me atmosferë tipike shqiptare dhe shumë emra të njohur të muzikës.
Nikqi, i cili ka një miqësi shumëvjeçare me familjen e këngëtares dhe ishte vetë i pranishëm në dasmë, tregoi edhe për lidhjen e tij me Beben dhe të ëmën e saj.
“Kam punuar dhe punoj me nënën e Bebes. Me Beben kemi bashkëpunuar këtu te puna jonë”, tha ai fillimisht.
Më tej, Liri zbuloi se në dasmë kishin marrë pjesë rreth 600 persona, ndërsa të ftuarit vinin nga treva të ndryshme shqiptare. Për muzikën dhe atmosferën ishin kujdesur këngëtarë të njohur, mes tyre Yllka Kuqi dhe Ledri Vula, të cilët i dhanë festës momente të veçanta.
Sa të ftuar ishin? Ishte një dasmë e madhe tipike shqiptare?
Liri: Tipike shqiptare, ishin diku të ftuar rreth 600 vetë. Ishte një sallë e stërmbushur me gëzim dhe hare. Këta dibranët kanë një kulturë në dasmë, një investim të paparë, një përkushtim kaq të madh. Por edhe si njerëz këtu në Amerikë, janë njerëz të përkushtuar familjes, eventeve, dasmave.
Ku dukej përkushtimi? Pamë këngëtarët Yllka Kuqi, Ledri Vula, kush ishte tjetër? Veshja e të ftuarve?
Liri: Po filloj me të ftuarit pasi kishte nga të gjitha trevat, si nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, nga Dibra. Dasma filloi me një grup dhe një këngëtar dibran, ishte një koktej që zgjati një orë. Pastaj ishte hyrja e këngëtares Yllka Kuqi, e cila di që t’i përshtatet çdo eventi. Pastaj surpriza, hyrja e reperit Ledri Vula, ishte një spektakël.
Sipas teje, kë do të veçoje surprizën më pikante?
Liri: Ndoshta surpriza më e bukur ishte kur Bebe këndoi 3 nga hitet e saj. Aty ishte dhe një moment pak emocionues për familjen, se si motra po i këndonte vëllait.
Bebe e bëri tipike fare, momenti kur ajo këndon nga oborri, që e kishte me hallën e madhe./mxh
