Last Updated on 18/09/2026 by EL
Një 68-vjeçar rus ka ndërmarrë një përpjekje të pazakontë për të hyrë në Lituani, duke notuar përgjatë lumit Nemunas nga enklava ruse e Kaliningradit, por autoritetet lituaneze e kanë kthyer në Rusi pasi nuk i kanë dhënë azil.
Burri u pikas nga rojet kufitare lituaneze në bregun e lumit të enjten pasdite. Pas daljes nga uji, atij iu dhanë rroba të thata, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë të ditur distancën e saktë që kishte përshkuar, itinerarin e ndjekur apo kohën që kishte kaluar në ujë.
Sipas raportimeve të mediave lituaneze, 68-vjeçari u tha autoriteteve se po largohej nga Rusia për shkak të persekutimit që, sipas tij, kishte pësuar për aktivitetin e tij në rrjetet sociale.
Megjithatë, pas vlerësimit të rrethanave të rastit, autoritetet lituaneze vendosën ta kthejnë atë në Rusi. Zyrtarët thanë se burri kishte dhënë informacione që nuk përputheshin dhe se autoritetet kishin marrë parasysh edhe të dhëna lidhur me kërcënimin që ai mund të përbënte nëse do të hynte në territorin e Bashkimit Europian.
Rasti është i pazakontë, pasi kalimi i kufirit mes Rusisë dhe Lituanisë duke notuar në lumin Nemunas është një mënyrë jashtëzakonisht e rrallë për të tentuar hyrjen në vend.
Rojet kufitare lituaneze monitorojnë vazhdimisht këtë pjesë të lumit përmes pajisjeve të survejimit teknik, duke bërë të mundur zbulimin dhe reagimin e shpejtë ndaj tentativave për kalim të paligjshëm.
Incidenti ndodh në një periudhë kur Lituania po përballet me presion të shtuar të sigurisë përgjatë kufirit lindor të Bashkimit Europian. Vendi kufizohet me Bjellorusinë, aleate e Rusisë, si dhe me enklavën e militarizuar ruse të Kaliningradit.
Lituania ka regjistruar gjithashtu disa raste të hyrjes së dronëve në hapësirën e saj ajrore. Në incidentin më të fundit, të hënën, një avion luftarak i NATO-s rrëzoi një dron pasi ai hyri në hapësirën ajrore lituaneze nga drejtimi i Bjellorusisë.
Që prej vitit 2021, Vilniusi është përballur edhe me një numër të madh migrantësh në kufirin lindor. Bashkimi Europian e ka përshkruar situatën si përdorim të migracionit për qëllime politike nga Bjellorusia dhe Rusia, duke nxitur Lituaninë të forcojë mbikëqyrjen, infrastrukturën kufitare dhe praninë e personelit përgjatë kufirit./ET
