Last Updated on 04/08/2026 by Kesjana
Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi ka shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin për të gjithë efektivët e angazhuar në përballimin e zjarreve që kanë përfshirë vendin gjatë ditëve të fundit.
Sipas tij, gjatë 24 orëve të fundit, 727 forca operacionale janë angazhuar në menaxhimin e 20 vatrave të zjarrit në zona të ndryshme të Shqipërisë.
Në mbështetje të strukturave vendore, janë angazhuar edhe 128 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 automjete zjarrfikëse, 1 autoambulancë mjekësore dhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore.
Në reagimin e tij, ministri thekson se është e pamundur të mos shprehë respektin e thellë për të gjithë efektivët që prej fillimit të verës janë në vijën e parë të luftës me flakët.
“Janë pikërisht këta njerëz të sakrificës dhe me uniformë që zgjedhin të ecin drejt rrezikut për ta eliminuar atë dhe jo t’i qëndrojnë larg tij”, shprehet ai.
Ministri u ka shprehur mirënjohje për profesionalizmin, guximin dhe përkushtimin e treguar në mbrojtje të jetës së qytetarëve, komuniteteve dhe pasurisë natyrore të vendit.
“Shqipëria krenohet me ju. Sakrifica, vendosmëria dhe shërbimi juaj janë shembulli më i mirë i detyrës ndaj Republikës”, përfundon mesazhi i ministrit./kb




