Në moshën 89-vjeçare, Morgan Freeman ka vendosur të hapë një kapitull të ri në karrierën e tij. Aktori amerikan ka publikuar albumin e tij të parë muzikor, Morgan Freeman’s Symphonic Blues Experience, një projekt i kushtuar blues-it dhe rrënjëve të tij në Mississippi.
Albumi, i publikuar më 7 gusht nga Decca Records, përmban 12 këngë dhe sjell një udhëtim nëpër rreth 100 vjet histori të blues-it. Në projekt marrin pjesë edhe emra të njohur të këtij zhanri, mes tyre Taj Mahal, Keb’ Mo’ dhe Shemekia Copeland, ndërsa pjesë të regjistrimeve janë realizuar edhe me Chineke Orchestra.
Projekti u prezantua fillimisht në qershor, së bashku me këngën Death Letter Blues, një version i ri i këngës së famshme të Son House, me Taj Mahal në vokal dhe kitarë.
Për Freeman, blues-i nuk është thjesht një zhanër muzikor. Lidhja e tij me këtë muzikë nis që në fëmijëri, në Mississippi Delta, ku e dëgjoi për herë të parë në shtëpinë e gjyshes. Ky pasion i vjetër është kthyer ndër vite edhe në një përkushtim konkret për ruajtjen e traditës së blues-it.
Së bashku me partnerët e tij, Freeman është bashkëpronar i Ground Zero Blues Club në Clarksdale, Mississippi, klub që e ka mbështetur prej 25 vitesh si një hapësirë për muzikën blues dhe artistët e saj.
Kështu, në një moshë kur shumëkush mendon për të mbyllur kapitujt e karrierës, Morgan Freeman po hap një të ri: nga kinemaja dhe rrëfimi dokumentar, te muzika dhe historia e blues-it që e ka shoqëruar që nga fëmijëria./ad
