Të paktën 94 persona u konfirmuan të vdekur të premten (28 nëntor) në ishullin Sumatra të Indonezisë, sipas të dhënave nga tre autoritete provinciale, pasi përmbytjet e fuqishme goditën rajonin e Azisë Juglindore.
Në rajonin Padang Pariaman, ku humbën jetën 22 persona, banorët u përballën me nivele uji mbi një metër të lartë dhe deri të premten shumë zona nuk ishin arritur ende nga ekipet e kërkim-shpëtimit.
Komunikimet mbetën të ndërprera në disa pjesë të ishullit, ndërsa autoritetet punonin për të rikthyer furnizimin me energji dhe për të pastruar rrugët e bllokuara nga rrëshqitjet e dheut, bëri të ditur Abdul Muhari, zëdhënës i agjencisë kombëtare të menaxhimit të fatkeqësive në Indonezi. Ai shtoi se vendi do të vazhdojë të transportojë me avion ndihma dhe personel shpëtimi në zonat më të goditura.
Në nivel rajonal, bilanci i viktimave nga përmbytjet që kanë prekur zona të gjera të Azisë Juglindore arriti të paktën 183 të vdekur, ndërsa autoritetet po punojnë për shpëtimin e personave të bllokuar, rikthimin e energjisë e komunikimeve dhe koordinimin e operacioneve të rimëkëmbjes teksa uji ka nisur të tërhiqet.
Pjesë të mëdha të Indonezisë, Malajzisë dhe Tajlandës janë goditur nga reshjet e dendura të shkaktuara nga një ciklon gjatë gjithë javës, ndërsa një stuhi tropikale e rrallë është formuar në ngushticën e Malakës./mxh
