Italia përballet këtë të premte, më 20 nëntor 2026, me një grevë të përgjithshme që pritet të shkaktojë vështirësi në funksionimin e disa prej shërbimeve kryesore publike.
Greva është thirrur nga konfederata sindikale CGIL, e cila do të organizojë protesta në rreth 100 sheshe në të gjithë vendin, me sloganin “E ardhmja është tani”. Në të njëjtën ditë do të zhvillojnë mobilizime edhe sindikata të tjera autonome, si dhe studentët.
Në qendër të protestës është rritja e kostos së jetesës dhe humbja e fuqisë blerëse të qytetarëve. Sindikatat kërkojnë:
Rritje të pagave dhe rinovim të kontratave kolektive.
Pensione më të larta dhe indeksim të tyre me inflacionin.
Një sistem fiskal më të drejtë.
Më shumë investime në shëndetësi, arsim dhe shërbime sociale.
Masa kundër pasigurisë në punësimin e të rinjve.
Rritje të sigurisë në vendet e punës.
Sektorët që preken
Shkollat dhe universitetet: Mund të ketë pezullim të mësimit, ndryshime të orareve dhe ndërprerje të shërbimeve.
Shëndetësia: Priten vështirësi në funksionimin e shërbimeve, por do të garantohen shërbimet e domosdoshme.
Administrata publike: Mund të ketë vonesa dhe ndërprerje në shërbimet për qytetarët.
Transporti hekurudhor: Greva e shpallur nga sindikatat autonome mund të prekë trenat e Trenitalia, Trenord dhe Trenitalia Tper.
Në rrjetin hekurudhor kombëtar, ndërprerjet mund të nisin në orën 21:00 të së premtes, 20 nëntor, dhe të zgjasin deri në orën 20:00 të së shtunës, 21 nëntor. Për transportin rajonal do të garantohen shërbimet minimale në oraret 06:00–09:00 dhe 18:00–21:00. Ndërkohë, sindikatat Cobas, Clap dhe Sial kanë shpallur gjithashtu grevë për të gjithë ditën, në sektorët publikë dhe privatë, por pa përfshirë transportin./ad
