“Asnjë grua nuk duhet të detyrohet të zgjedhë mes të qenit nënë dhe të punuarit”. Me këtë mesazh, kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka prezantuar paketën e masave për mbështetjen e nënave që punojnë dhe familjeve, pjesë e projektbuxhetit të Italisë për vitin 2027.
Një nga masat kryesore është bonusi për nënat, i cili parashikohet të arrijë në 100 euro në muaj, ose 1.200 euro në vit. Përfitimi synohet të jetë i përhershëm dhe pa taksa, për nënat që punojnë dhe plotësojnë kriteret e përcaktuara, përfshirë kufirin e të ardhurave vjetore prej 40 mijë eurosh.
Bonusi parashikohet për gratë me të paktën dy fëmijë. Në rastin e familjeve me dy fëmijë, përfitimi lidhet me moshën e fëmijës së dytë, deri në 10 vjeç. Për nënat me tre ose më shumë fëmijë, mbështetja mund të vazhdojë deri në moshën 18-vjeçare të fëmijës më të vogël.
Paketa parashikon gjithashtu zgjerimin e lejes prindërore me pagesë. Sipas skemës së propozuar, prindërit do të kenë mundësi të përfitojnë më shumë muaj leje me 80 për qind të pagës, në varësi të numrit të fëmijëve.
Masa synon t’u japë familjeve më shumë kohë për kujdesin ndaj fëmijëve, pa i detyruar prindërit të shkëputen plotësisht nga puna dhe të ardhurat e tyre.
Një tjetër element i paketës është mbështetja për kujdesin ndaj fëmijëve. Për prindërit e vetëpunësuar parashikohet një ndihmë deri në 500 euro në muaj, për një periudhë maksimale prej tre muajsh, për shërbime si çerdhet dhe kujdesi nga dado.
Kjo skemë është parashikuar në mënyrë eksperimentale për periudhën 2027-2029, me një fond prej 15 milionë eurosh në vit.
Masat përfshijnë edhe familjet me të paktën katër fëmijë, të cilat parashikohet të përfitojnë rimbursim deri në 385 euro në vit për taksën e automjetit, nëse plotësojnë kriteret e përcaktuara për automjetin dhe përbërjen familjare.
Ndërkohë, projektbuxheti parashikon edhe krijimin e një fondi kursimi për fëmijët e lindur nga 1 janari 2027, me një kontribut shtetëror prej 100 eurosh në vit deri në moshën 18-vjeçare.
Duke prezantuar masat, Meloni theksoi se objektivi i qeverisë është t’u japë grave mundësinë të ndërtojnë të ardhmen e tyre pa u detyruar të zgjedhin mes karrierës dhe mëmësisë.
“Mbështetja e mëmësisë do të thotë të mbrosh lirinë e grave dhe të investosh në të ardhmen e Italisë”, deklaroi kryeministrja italiane.
Masat janë pjesë e projektbuxhetit për vitin 2027 dhe duhet të kalojnë procedurën parlamentare përpara se të marrin formën përfundimtare ligjore./ad
