Last Updated on 14/12/2024 by adminfjala
Parlamenti i Koresë së Jugut ka votuar pro fajësimit të presidentit, Yoon Suk Yeol, duke e pezulluar atë nga detyra zyrtare, për shkak të tentimit të tij për të shpallur gjendje lufte, një javë më parë.
Por, fuqitë dhe detyrat e tij presidenciale do të pezullohen derisa një kopje e dokumentit për fajësimin e tij t’i dorëzohet atij si dhe Gjykatës Kushtetuese, raportoi AP.
Gjykata Kushtetuese ka 180 ditë për të përcaktuar për shkarkimin e Yoon-it nga detyra si president, ose nëse do ta kthejë në detyrë. Nëse hiqet nga pozita, zgjedhjet për zëvendësin e tij duhet të mbahen brenda 60 ditësh.
Më 3 dhjetor Presidenti shpalli gjendjen e jashtëzakonshme ushtarake, pasi e konsideroi të nevojshme për të mbrojtur vendin nga forcat komuniste të Koresë së Veriut dhe për të eliminuar elementët kundër shtetit.
Ai u zotua të çrrënjosë “forcat e paturpshme anti-shtetërore pro-koreane të Veriut” dhe tha se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të merrte masën për të mbrojtur rendin kushtetues.
Ndërkohë disa orë më vonë ai u detyrua të tërhiqte vendimin pasi ligjvënësit u përballën me ushtrinë në Parlament dhe votuan për ta zhbërë vendimin dhe mijëra njerëz protestuan jashtë Parlamentit./e.t