Kryetari i Partisë Demokratike ka falënderuar çdo qytetar për pjesëmarrjen në tubimin e djeshëm dhe ka theksuar se protesta ka pasur një ndikim të fuqishëm, duke tmerruar mazhorancën në pushtet. Ai e ka filluar fjalimin duke shprehur mirënjohjen për çdo qytetar që, sipas tij, me mosbindjen e tyre civile, çliruan për tre orë kryeqytetin e Tiranës nga, siç e quajti ai, “kthetrat e narkoshtetit”.
Në vijim, ai ka përshëndetur individët që, sipas tij, janë arrestuar gjatë protestës dhe që janë ende në qelitë e narkokomisariateve, duke i konsideruar ata si guximtarë të vërtetë. “I garantoj se PD qëndron fuqishëm dhe me mirënjohje të pakufishme ndaj tyre,” ka theksuar ai.
Kryetari i PD-së ka bërë të qartë se protesta ka frikësuar qeverinë dhe ka komentuar reagimet e mazhorancës, duke i cilësuar ato si shfaqje të shëmtuara dhe qesharake. Ai ka përmendur përdorimin e mashtruesve të paguar dhe kriminelëve me uniformë nga ana e narkoshtetit, duke kritikuar përdorimin e pretendimeve absurde gjatë protestave të opozitës, si dhe veprime të tjera që, sipas tij, janë përdorur për të diskredituar protestën.
Po ashtu, ai ka akuzuar qeverinë për përdorimin e “narkopolicisë” kundër protestuesve paqësorë, duke përmendur një incident ku deputeti dhe nënkryetari i PD-së, Agron Gjekmarkaj, u godit nga forcat e policisë dhe u dërgua në spital. Sipas tij, këto veprime tregojnë tmerrin e mazhorancës dhe dëshirën për të frikësuar protestuesit.
Në fund, ai ka theksuar se, pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për të përgënjeshtruar ndikimin e protestës, aksionet e opozitës dhe mosbindjet civile kanë arritur të realizojnë “pamundshmen” dhe të krijojnë një terren të frikshëm për qeverinë dhe ata që janë kundër opozitës./ S.M