Nga Artur Ajazi
Opozita nuk bëhet në kryqezime rrugësh, dhe në sheshe ku veç shajnë dhe fyejnë. Ajo bëhet në Parlament, madje edhe me protesta, kur ato kanë gjithë arsyen e logjikshme.
E bëtë “qeverinë teknike” në 2017, dhe çfarë fitove ? I more ca poste ministrore, të cilat i ktheve në “kocaqe”, aq sa disa prej atyre që bëre ministra, nuk donin të dorëzonin detyrën, pasi i dukej sikur kishin lindur atje, në kolltukun e rehatshëm.
Tani kërkon sërish “qeveri kujdestare”, apo teknike, quaje si të duash. Zoti Berisha, fitorja në zgjedhje, gjithmonë nuk kushtëzohet nga krijimi ose jo, i qeverisë teknike. Ajo është thjesht një procedurë “e panevojshme” që disa vende e përdorin, në raste të veçanta krizash. Tek ne nuk ka krizë, nuk ka mosbindje civile (pasi shumica e shqiptareve nuk i binden thirrjes tuaj) nuk ka pakënaqësi popullore, dhe asgjë tjetër, që të përligjë krijimin e një strukture parazite siç është “qeveria teknike”.
Nga ana tjetër, a jeni i sigurtë zoti Berisha, se me qeveri teknike, do të fitoni zgjedhjet e 2025 ? A jeni i sigurtë se, shqiptarët do të “ndalin trenin expres” drejt zhvillimit dhe Europës, dhe do t’ju votojnë ju ? Protestat e fundit nga opozita e përfaqesuar vetëm nga Partia Demokratike, po na tregon shumë, lidhur me ç’ka përfaqëson, dhe ç’ka kërkon ajo forcë politike. Jeni i sigurtë zoti Berisha, se me “qeverinë teknike” (jam i bindur se ju, nuk e doni fare krijimin e saj) do të rrisni “aksionet elektorale” ? Druaj se do të ndodhë e kundërta, siç ka ndodhur. Politika në 2024, nuk mund të bëhet si në 1996, apo dhe 2001.
Në këto 12 vite opozitë, kontributi juaj lidhur me rritjen, zhvillimin dhe arritjen e sukseseve në Shqipëri, mbetet thuajse Zero. E nisët keq rrugëtimin tuaj si opozitë qysh muajt e para të 2013, dhe e vazhduat “rrakapjekthi”, duke ardhur deri sot në pikën më kritike si forcë politike. Rruga që keni zgjedhur për të bërë opozitën, mbetet “rrugë qorre” dhe nuk të shpie gjëkundi. Duke i fryrë krahinalizmit, apo dhe fenomeneve të tjera absolutisht të patolerueshme për një politikan me përvojë si ju, nuk po bëni asgjë tjetër, veçse synoni të ndani shqiptarët, në Veri dhe Jug. E tentuat ta bëni këtë, edhe kur ishit në pushtet në 1992 deri 1996, po ashtu edhe kur rierdhët në pushtet në 2005 deri 2013. Politika është talenti i lindur, dhe nuk të toleron kur del nga vetja.
Politika është virtyt i njeriut fisnik, që edhe pse di, mëson çdo ditë nga pak, derisa të arrijë majat. Opozita nuk bëhet në kryqezime rrugësh, dhe në sheshe ku veç shajnë dhe fyejnë. Ajo bëhet në Parlament, madje edhe me protesta, kur ato kanë gjithë arsyen e logjikshme. Siç u mblodhën në Beograd, mendoj se nuk do t’ju mblidhen kurrë ju mes Tiranës. Dhe e di pse ? Sepse nuk duan të kthehen më në epokën e “gurit”, dhe atyre që drejtonin zyrat e shtetit me zinxhira floriri në duar dhe qafë. Ndaj, mendoni një rrugë tjetër, për të bindur të paktën mbështetësit tuaj “gri”, të cilët po largohen nga rradhët e partisë zoti Berisha. Hape partinë, hapi zyrat, hapi dhe njerëzit, dhe mos i ndaj ata në Veri-Jug, dhe do të bindesh se deri sot, ke qenë i gabuar./ S.M