Në aksin rrugor Topojan-Shishtavec, borëpastrueset janë në veprim për të mbajtur rrugët të kalueshme, duke shpërndarë kripë për të parandaluar ngricat. Megjithatë, drejtuesit e mjeteve këshillohen të përdorin goma dimërore dhe zinxhirë për udhëtim të sigurt.
Në Iballë të bashkisë Fushë-Arrëz, bora ka izoluar fshatin me trashësi që arrin deri në 2 metra. Automjetet mbetën të bllokuara për disa orë mbrëmjen e së mërkurës, duke përfshirë edhe priftin që udhëtonte për meshën e Krishtlindjes. Bashkia, me mjete të kufizuara borëpastruese, arriti të hapë rrugën vonë në mbrëmje, por era e fortë dhe ortekët vazhdojnë të krijojnë probleme.
Në Shkodër, akset Bogë-Theth dhe Tamarë-Vermosh janë të kalueshme vetëm me vështirësi. Ekipet vazhdojnë pastrimin e dëborës dhe drejtuesit e mjeteve paralajmërohen për përdorimin e pajisjeve dimërore. Erërat e forta kanë shkaktuar dëmtime në rrjetin elektrik, duke lënë pa energji shumë fshatra në zonat Bregu i Lumit, Prekal, Rrethina dhe Bardhaj. Probleme me energjinë raportohen edhe në Vau i Dejës, Temal dhe Shllak, ku rrugët janë bllokuar nga rënia e inerteve. Situata është e ngjashme në disa fshatra të bashkisë së Lezhës, ku mungesa e energjisë dhe bllokimet rrugore vazhdojnë të sfidojnë banorët./K,B