Edhe pse i gjithë fokusi është përqendruar te zgjedhjet e 11 majit,
PD duket se vijon me protestat. Sali Berisha do të mbledhë nesër militantët në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, protestë që u iniciua pas deklaratave të bëra nga ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj.
Por kjo protestë do të jetë nga ato klasiket që jemi mësuar, ku Berisha më shumë do të tentojë të tregojë se ka mbështetje elektorale, sesa për të shkaktuar trazira.
Kjo është protesta e parë kombëtare e iniciuar prej tij, pas lirimit nga arresti shtëpiak. Kjo pasi protesta e fundit ishte në kuadër të mosbindjes civile dhe ishte e fokusuar te bllokimi i rrugëve.
Pra nesër nuk parashikohen incidente, pasi degët kanë marr udhëzim për të mbledhur s më shumë njerëz në shesh.
Këtë herë, sipas asaj që është planifikuar, protestuesit do të grumbullohen në bulevard sipas një ndarje të bërë nga organizimi i partisë, ndërsa disa dhjetëra të rinj të FRPD do të shoqërojnë Sali Berishën bashkë me një pjesë tjetër të lidershipit të partisë në marshimin nga selia blu drejt bulevardit, përballë Kryeministrisë. Pritet që aty të ngrihet në podium dhe do të ketë personazhe që do të flasin, ku padyshim nuk do të mungojë as fjalimi i Berishës.
Ndërkohë, nga ana tjetër, Policia e Shtetit mësohet se ka hartuar një plan masash për të menaxhuar protestën, duke nisur me bllokimin e disa prej akseve që të çojnë drejt bulevardit. Po ashtu dera e Kryeministrisë do të blindohet, teksa do të jenë në gatishmëri afro 1 mijë forca policie, përfshirë dhe Gardën që do të ruajë godinat qeveritare./ S,M