“Kodi i dhunës” në Parlament shtyn votimin për Kodin Zgjedhor

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Seanca parlamentare e djeshme kishte në rendin e ditës miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, një projektligj i dakordësuar mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, i cili synon të lehtësojë votën e diasporës dhe të sjellë disa rregullime në procesin zgjedhor.

Por, tensionet politike që pasuan konfirmimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, e devijuan fokusin e debatit dhe bënë që miratimi i Kodit Zgjedhor të shtyhej për të hënën, më 17 shkurt.

Deputetët e opozitës shfrytëzuan këtë zhvillim për të ngritur një debat të ashpër në sallën e Kuvendit, duke e akuzuar mazhorancën për mbështetje të heshtur ndaj Veliajt dhe duke kërkuar zgjedhje të parakohshme për Bashkinë e Tiranës. Ata pretenduan se Partia Socialiste po përpiqet të minimizojë impaktin e këtij arrestimi në opinionin publik, ndërkohë që mbështetës të kryebashkiakut u grumbulluan para SPAK në një protestë spontane.

Një tjetër akuzë e ngritur nga opozita ishte se Policia e Shtetit nuk kishte marrë masat e nevojshme për të siguruar mjediset e SPAK dhe për të parandaluar çdo përpjekje për presion ndaj drejtësisë.  Nga ana tjetër, socialistët u përpoqën të shmangnin debatet e ashpra mbi këtë çështje, por strategjia e tyre për të replikuar më shumë se zakonisht me demokratët solli përshkallëzimin e situatës.

Përballë kësaj qasjeje, tensionet në sallë arritën kulmin kur Flamur Noka tentoi të godiste me një shishe uji ministrin e Brendshëm Taulant Balla, duke detyruar ndërhyrjen e Gardës së Republikës për të qetësuar situatën. Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ndërhyri për të rikthyer rendin, por përplasjet verbale vijuan për disa minuta. Në fund, ajo vendosi përjashtimin e Nokës nga seanca, ndërsa përplasjet fizike dhe debati politik bënë që seanca të ndërpritej disa herë.

Në këtë klimë tensioni, çështja kryesore e rendit të ditës, ndryshimet në Kodin Zgjedhor, kaluan në plan të dytë. Drafti i dakordësuar mes mazhorancës dhe opozitës përfshin disa ndryshime të rëndësishme, ku më i rëndësishmi është që diaspora nuk do të paguajë më për kthimin e votës në Shqipëri. Kostoja e këtij shërbimi do të mbulohet nga shteti përmes një fondi të parashikuar në buxhetin e vitit 2025, i cili do t’i kalojë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zbatim.

Lexo edhe :  Rama batuta në Mynih: Kur nisëm integrimin isha pa thinja

Ndryshime të tjera lidhen me përshpejtimin e procedurave për regjistrimin e partive dhe kandidatëve, duke e afruar afatin nga 22 marsi në 12 mars, si dhe me rregullimin e procesit të numërimit të votave të diasporës. Këto vota do të numërohen nga një komision i përbërë nga katër anëtarë, dy të propozuar nga mazhoranca dhe dy nga opozita, ndërsa sekretari i komisionit do të përzgjidhet në bazë të një aplikimi të hapur në KQZ dhe duhet të jetë me profesion jurist.

Ndryshime të tjera të propozuara lidhen me financimin e partive politike gjatë fushatës dhe rritjen e minutazhit televiziv për kandidatët në listat e hapura. Me kërkesë të PD-së, u pranua që secili kandidat të ketë deri në 140 minuta hapësirë promovuese në mediat private gjatë fushatës zgjedhore. Ndërkohë, mazhoranca propozoi që shuma maksimale e shpenzimeve të një partie për fushatë të jetë pesë herë më e madhe se fondi më i lartë që ka marrë nga buxheti i shtetit.

Kandidatët individualë do të kenë të drejtë të vetëfinancojnë fushatën e tyre deri në 3 milionë lekë të rinj, ndërsa raportimi financiar do të kryhet përmes një modeli të ri që pritet të miratohet nga KQZ.

Pavarësisht se këto ndryshime janë produkt i një dakordësie mes palëve dhe pritet të miratohen pa kundërshtime të forta, tensionet politike të krijuara nga arrestimi i Veliajt e bënë të pamundur që votimi të zhvillohej në seancën e së enjtes.

Përplasjet e vazhdueshme dhe ndërprerjet e njëpasnjëshme bënë që asnjë nga çështjet e rendit të ditës të mos votohej, duke detyruar kryetaren e Kuvendit të thërrasë një seancë të posaçme të hënën në orën 10:00 për të diskutuar dhe votuar përfundimisht ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Të fundit

Shqipëria bëhet’ dhe Lëvizja ‘Bashkë’ dy partitë e para që duan të regjistrohen në KQZ

“Shqipëria bëhet” e Adriatik Lapajt dhe Lëvizja “Bashkë” e Arlind Qorit, janë dy partitë e para që kërkojnë në KQZ...

Zbresin sërish temperaturat, ku pritet të bien reshje dëbore dhe të ketë erë të fortë

Meteorologia Tanja Porja ka zbuluar në emisionin ‘Dita Jonë’ në A2 CNN sesi do të jënë kushtet e motit për ditën e sotme dhe...

Punonjësi i policisë së burgjeve i jep fund jetës, qëllon veten me armë në banesë (Emri)

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Tiranë, ku një punonjës i Policisë së Burgjeve dyshohet se i ka dhënë fund jetës me...

Trump urdhëron shkarkimin e menjëhershëm “të të gjithë prokurorëve” të emëruar nga Biden

Presidenti Donald Trump urdhëroi shkarkimin e të gjithë prokurorëve federalë që punonin në administratën e Bidenit , duke akuzuar Departamentin e Drejtësisë se ishte "politizuar" si kurrë...

Si shpërndahej kokaina me taksi e skutera/ Detaje nga operacioni me 27 të arrestuar

Detaje të reja në lidhje me operacionin e zhvilluar të martën në Tiranë, ku u arrestuan 27 persona për shpërndarje droge në zona të...

Lajme të tjera

Web TV