Last Updated on 06/11/2026 by EL
Deputeti demokrat Xhelal Mziu ka publikuar në llogarinë e tij pamje nga asfaltimi i një rruge në një zonë rurale dhe thotë se ai është “inovacioni i fundit i Rilindjes”, duke akuzuar mazhorancën socialiste se ka hedhur asfalt sa për gomat e makinës.
“Inovacioni i fundit i Rilindjes: Asfalt me dy shirita, vetëm për gomat! Rrotat në asfalt, makina në baltë, qytetarët në hall! As rrugë u bë, as turp u ndje”, shkruan deputeti Xhelal Mziu.
Mirëpo, nga një verifikim i thjeshtë në internet, duke përdorur edhe inteligjencën artificiale, rezulton se rruga nuk është fare në Shqipëri. Fotografitë janë shkrepur në Sofje, kryeqyteti i Bullgarisë.
Por edhe atje, ngjarja nuk është aktuale. Të paktën, tre vite më parë, projekti për shtrimin e asfaltit në lagjen prestigjioze Dragalevtsi të Sofjes ka bërë xhiron e mediave sociale dhe ka shkaktuar komente tallëse.
“Në rrugën Nenko Balkanski, asfalti është shtruar vetëm në të dyja skajet e rrugës, sa për të kaluar gomat e një automjeti”, shkruajnë mediat bullgare, teksa në vitin 2023 i kanë dhënë zë skandalit në vendin e tyre.
