Prokuroria e Shkodrës ka regjistruar procedimin penal dhe ka nisur hetimet për vdekjen e një djali 3-vjeçar një ditë më parë në zonën e Vaut të Dejës në Shkodër, i cili dyshohet se është helmuar nga ilaçi kundër minjve.
Burime bëjnë me dije se Prokuroria ka orientuar shërbimet e Policisë Gjyqësore në Komisariatin e Vau të Dejës për kryerjen e veprimeve të para hetimore.
Mësohet se Prokuroria po kryen hetime për neglizhencë në trajtimin mjekesor të bluzave të bardha. Gjithashtu, hetuesit do të verifikojnë edhe veprimet e prindërve.
Kujtojmë se 3-vjeçari ndërroi jetë në Shkodër, ndërsa motra e tij 7-vjeçare ndodhet në gjendje kritike për jetën e e shtruar në QSUT.
Prindërit, sipas burimeve, kanë bërë spërkatjen e një magazine me ilaç kundër minjve. Gjatë spërkatjes së magazinë ata kanë patur me vete edhe fëmijët, të cilët kanë pësuar intoksikacion të rëndë.
Reagimi zyrtari i policisë për ngjarjen
Në lidhje me këtë ngjarje, Policia bën me dije se të premten (21 shkurt) dy fëmijët janë dërguar në spital nga babai i tyre, me dyshime për viroza të stinë. Pas mjekimit ata janë larguar në banesë.
Por për shkak se gjendja e tyre ishte rënduar, një ditë më vonë, babai i kishte dërguar sërish në spital, por fatkeqësisht 3-vjeçari kishte humbur jetën. Ndërsa 7-vjeçarja u dërgua në QSUT, për mjekim të specializuar.
Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës së 3-vjeçarit.
“Më datë 21.02.2025, shtetasi S. H. ka dërguar për mjekim në Repartin e Pediatrisë në Spitalin Rajonal Shkodër, 2 fëmijët e tij, vajzën 7 vjeçe dhe djalin 3 vjeç, të dyshuar me virozë stine. Pas mjekimit, shtetasi S. H. dhe 2 fëmijët janë larguar në banesë.
Për shkak të rëndimit në gjendjes shëndetësore të fëmijëve, në banesë, më datë 22.02.2025, shtetasi S. H. i ka dërguar përsëri 2 fëmijët për mjekim në Repartin e Pedriatrisë në Spitalin Rajonal Shkodër.
Pavarësisht ndihmës mjekësore, 3-vjeçari ka humbur jetën, ndërsa 7-vjeçarja u dërgua në QSUT, për mjekim të specializuar.
Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës së 3-vjeçarit“, njofton policia.
Por çfarë deklaron spitali i Shkodrës
Sipas Spitalit Rajonal Shkodër prindërit e dërguan djalin e mitur në spital ditën e premte. Familjarëve u është kërkuar që fëmija të lihet në observacion. Por, prindërit kanë firmosur për ta nxjerrë e për ta çuar në shtëpi. Spitali pretendon se janë ndjekur të gjitha protokollet.
Të nesërmen, prindërit e kane sjellë sërish fëmijen ne gjendje shumë të rëndë dhe është dërguar menjëherë në reanimacion, ku ka ndërruar jetë.
Burime pranë spitalit rajonal të Shkodrës bëjnë me dije se fëmija 3-vjeçar u paraqit ditën e shtunë rreth orës 10:00 të paradites në gjëndje të rënduar shëndetësore me insuficensë kardiake( puls të ulët, shenja jetësore shumë të ulta, ndërsa 10 minuta pasi ka mbërritur ne spital ka ndërruar jetë.
Pas rreth 20-30 minutash ka mbërritur dhe motra e tij në spitalin e Shkodrës me të njëjtat simptoma dhe i është dhënë ndihma e parë dhe është dërguar menjëhere në QSUT ku ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Nuk dihet gjëndja shëndetsore e nënës së dy fëmijëve që është 37 javëshe shtatzënë por nuk është paraqitur në spitalin e Shkodrës./K.K