TIRANË– Ish-Blloku, një nga zonat më të njohura dhe të frekuentuara të Tiranës do të kthehet në pedonale.
Sipas projektit të prezantuar kësaj zone do t’i bëhet një ridizejnim urban, duke i bërë protagonist qytetarët dhe jo automjetet.
Nga projekti preken tre rrugët kryesore “Ismail Qemali”, “Pjetër Bogdani” dhe “Brigada 8”. Gjithashtu përfshihen edhe kryqëzimet e rrugëve “Sami Frashëri” dhe “Vaso Pasha”.
Në këto akse minimizohen hapësirat për automjetet dhe zgjerohen ato për ecjen e këmbësorëve.
Në rrugën “Brigada VIII” dhe “Pjeter Bogdani”, hiqen parkimet në të dyja anët e rrugës. Sipas projektit, të dyja këto rrugë do të ngushtohen nga 6 metër që janë aktualisht në 4 metër.
Me heqjen e makinave në anë të rrugës zgjerohen trotuarët, që aktualisht janë shumë të ngushtë.
Në këtë pjesë që eleminohen parkimet, do të krijohen xhepa për parkim të përkohshëm. Një prej tyre do të jetë përpara kopshtit në këtë zone, siç shihet në këto pamje.
“Në rrugën “Ismail Qemali” si një nga nyjet kyçe të zonës së ish-bllokut, do të ketë një korsi biçikletash dhe vetëm një rresht parkimi. Për shkak të rëndësisë së këtij aksi që lidhet me rrugët e tjera të kryeqytetit është parashikuar parkim vetëm nga njëra anë, duke ruajtur një balancë mes aksesit të mjeteve dhe këmbësorëve”, tha ajo.
Nga tre korsi që ka aktualisht rruga “Ismail Qemali” do të kthehet me dy korsi, njëra për qarkullim dhe tjetra për parkim. Kjo rrugë ngushtohet për automjetet dhe zgjerohet trotuari, për të krijuar kështu hapësira të gjera për ecjen në këmbë të qytetarëve, apo edhe vende çlodhëse për t’u ulur.
Ish blloku është një nga zonat me ngarkesën më të lartë të qarkullimit të automjeteve. Teksa bizneset shprehen skeptikë, pasi lëvizja e automjeteve kufizohet, banorët që jetojnë aty e shohin si mundësi të mirë kthimin e rrugëve në pedonale për të ecur.
“Të ishte bërë më parë se banoj këtu”
“Shumë mirë, të shpresojmë që të bëhet, shumë makina, na kanë lodhur”
Projekti përfshin gjithashtu shtimin e hapësirave të gjelbra. Përpara institucioneve arsimore do të realizohen sheshe, duke krijuar zona më të sigurta për fëmijët./k.k