A$AP Rocky duket se e ka kuptuar se disa gjëra është më mirë të mbeten sekrete, sidomos kur bëhet fjalë për karrierën muzikore të partneres së tij, Rihanna-s. Reperi ka treguar se një deklaratë e bërë për rikthimin e këngëtares në studio nuk ishte pritur aspak mirë në shtëpi.
Gjithçka nisi në gusht, gjatë një interviste në emisionin “The Jason Lee Show”, ku Rocky konfirmoi se Rihanna kishte nisur të punonte sërish për muzikë të re. Në atë moment, ai nuk e fshehu entuziazmin, por as shqetësimin se mund të kishte zbuluar më shumë seç duhej.
“Është në studio tani. Po, e thashë. Më fal, zemër”, u shpreh ai asokohe, duke lënë të kuptohej se partnerja mund të mos ishte shumë e lumtur me këtë zbulim.
Dhe me sa duket, parashikimi i tij doli i saktë!
I pyetur nga “The Hollywood Reporter” gjatë Academy Museum Gala në Los Angeles se si kishin shkuar gjërat pas deklaratës që bëri xhiron e mediave, reperi nuk ngurroi të përgjigjej me humor.
“Ishte ferr”, tha ai duke qeshur, përpara se të pranonte se nuk duhej ta kishte bërë atë koment.
Këtë herë, Rocky duket se ka vendosur të mos përsërisë të njëjtin gabim. Kur u pyet nëse kishte ndonjë informacion të ri për projektet muzikore të Rihanna-s, ai u tregua shumë më i rezervuar.
“Jo, do të merrem me punët e mia”, u përgjigj reperi, duke treguar se tashmë preferon t’ia lërë vetë këngëtares detyrën për të ndarë lajmet me fansat.
Rihanna dhe A$AP Rocky janë prindër të tre fëmijëve, ndërsa fansat prej vitesh presin me padurim rikthimin e saj me një album të ri. Projekti i fundit i plotë muzikor i artistes, “ANTI”, u publikua në vitin 2016.
Megjithëse fakti që Rihanna po punon në studio ka shtuar shpresat për një rikthim të afërt, ende nuk ka një datë zyrtare për publikimin e albumit të saj të ardhshëm.
Deri atëherë, duket se fansat do të duhet të presin një njoftim nga vetë Rihanna, pasi A$AP Rocky e ka mësuar tashmë se zbulimi i sekreteve të saj muzikore mund t’i kushtojë shtrenjtë!/MXH
