Duke nisur nga data 3 mars do të ndalohet çdo rekrutim i punonjësve të rinj në administratë. Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pinderi tha në një deklaratë për mediat nga Kryeministria se, Këshilli i Ministrave kishte miratuar vendimin për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë apo përdorimit të burimeve njerëzore të administratës shtetërore gjatë zgjedhjeve.
Në këtë kuadër nga data 3 mars nuk do të lejohet më asnjë punësim në administratë përveç rasteve emergjente në sektorë kyç si shëndetësia.
“Nga data 3 mars ndalohet çdo rekrutim në administratë, që të punësojnë punonjës të rinj, nuk do të zhvillohet asnjë procedurë e re punësimi në ministri dhe shoqëri aksionere ku shteti është pronar. Do ketë vetëm një përjashtim kur bëhet fjalë për nevoja emergjente në fusha si infrastruktura kyçe apo mjekësia”, tha ministrja./ SM