Detaje të reja dalin lidhur me kaosin që përfshiu ditën e sotme parlamentin serb, ku nuk mungoi edhe dhuna.
Mediat në Serbi bëjnë me dije se nga episodet e dhunshme në Kuvend kanë mbetur të lënduara tre deputete, njëra prej tyre është 8 muajshe shtatzënë. Deputetët e opozitës serbe hodhën sot bomba tymuese dhe gaz lotsjellës brenda parlamentit, në shenjë kundërshtimi ndaj politikave të qeverisë dhe mbështetjes për protestat disamuajshe të studentëve të universiteteve në Serbi. Demonstratat e nxitura nga shembja e çatisë së një stacioni të trenit që la pas vetes 15 të vdekur katër muaj më parë, janë shndërruar në kërcënimin më të madh për qeverinë serbe.
Në seancën parlamentare, pasi koalicioni qeverisës i udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe miratoi rendin e ditës, disa politikanë të opozitës u përleshën me rojat e sigurisë, ndërsa po i drejtoheshin kryetares së parlamentit. Të tjerë deputetë hodhën bomba tymi dhe gaz lotsjellës. Pamjet televizive shfaqën tym të zi dhe rozë brenda ndërtesës. Kryetarja e parlamentit Ana Bërnabiç tha se dy deputetë mbetën të plagosur ndërsa deputetja e Partisë Përparimtare Jasmina Obradoviç, pësoi një goditje në tru dhe është në gjendje kritike.
“Parlamenti do të vazhdojë të punojë dhe të mbrojë Serbinë,” tha ajo.
Parlamenti pritej të miratonte të martën një ligj për shtimin e fondeve për universitetet, një nga kërkesat kryesore të studentëve që po mbajnë të bllokuar fakultetet që nga dhjetori. Parlamenti duhej të miratonte gjithashtu dorëheqjen e kryeministrit Millosh Vuçeviç. Por, pikat e tjera të vendosura në rendin e ditës nga koalicioni qeverisës, zemëruan opozitën./ S,M