Teksa iu përgjigj komenteve të qytetarëve në rrjete sociale, kryeministri Edi Rama komentoi marrëdhëniet me presidentin e SHBA-së, Donald Trump.
Teksa riktheu sërish në bisedë opozitën, të cilën e cilëson ‘kënetë’, duke iu referuar komentuesit, Rama tha se do ta kalojë oqeanin dhe se do t’i bëjë një surprizë.
Komenti i qytetarit: A do e kaloni oqeanin?
“Unë me oqeanin nuk kam pasur probleme, por ti qenke zgjuar në kënetë sot, paske fjetur atje dhe je zgjuar atje. Unë me oqeanin nuk kam pasur probleme. Mos u çudit fare kur ta shikosh që jo vetëm ta kaloj…, por s’po flas më shumë. Do t’ia lëmë kohës të ju bëj një surprizë të këndshme ty edhe kënetës bashkë. A çfarë na gjeti”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama i plotë:
Kryeministri Edi Rama: Ja ku jemi këtu në Panair, stenda e Shqipërisë e jashtëzakonshme, stendë i thënçin se është një hapësirë gjigande 800 metra katrorë në qendër të Berlinit dhe mbrëmja e djeshme ka qenë realisht një goditje shumë në shenjë të vëmendjes së të gjithëve. Dua të falënderoj gjithë ekipin që u angazhua me shumë përkushtim dhe dua në mënyrë të posaçme të falënderoj të gjithë ata që erdhën nga Shqipëria këtu dhe shkëlqyen me performancat e tyre, por shkëlqyen edhe mbrapa kuintave, prapa skenës ku ishin tamam sahat zviceran. Bravo, bravo. Një paraqitje fantastike e Shqipërisë. Tani, më falni po a e imagjinonit dot këtë vetëm disa vite më parë, vetëm disa vite me parë?
Eja pak këtu se jemi live.
-Mirëmëngjesi.
Kryeministri Edi Rama: Ka qenë dallëndyshja e parë në këto anë dhe pranverë nuk ka parë me sy.
– Emocion që nuk di ta them, prape emocionohem..
Kryeministri Edi Rama: Mirë, mos u emociono shumë, prezantohu pak kush je njëherë se nuk të njohin shumë përveç meje dhe ca të tjerëve.
– Unë jam Ilda Kasa. Kam 27 vjet, që kalama që merrem me turizëm. Është një ëndërr që u bë realitet dhe kam gati 25 vjet që vij në Berlin, mbrëmë kam patur emocione dhe kisha nevojë të qaja. Me shumë sinqeritet ta them, kisha shumë nevojë që të qaja sepse kurrë, kurrë nuk jam ndierë krenare më shumë se mbrëmë. ITB u mbyll pa filluar, ishte një sukses i jashtëzakonshëm. Feedback-u nga partnerët nuk di, ishte një emocion i jashtëzakonshëm. Prezantimi më dinjitoz dhe kokën lart.
Kryeministri Edi Rama: Tani na jep ca shifra.
– Kemi ardhur si hallexhinj, kemi ardhur me ishuj, me varka, me skelete. Me fukarallëk. Ia mbërritëm ditës që të jemi megaluks. Është një kryevepër, nuk, domethënë është prezantimi më dinjitoz që është bërë në këto 25 vite ndonjëherë në Berlin.
Kryeministri Edi Rama: Po jo vetëm i Shqipërisë, po i të gjitha vendeve të nderit më përpara i kemi mbytur kësaj radhë ne. Për shembull vjet ishte Gjeorgjia më duket, mos gabohem.
– Nuk ka lidhje, nuk ka lidhje. Art, kulturë, qytetari, vlera, dashuri, safety që është gjëja më e rëndësishme.
Kryeministri Edi Rama: Jep ca shifra një herë, jep ca shifra si jemi me këto prenotimet.
– 25 është e mbyllur, është sold out. Aeroporti i Vlorës, është shitur dhe Vlora. S’ka hotele, më duhen hotele.
Kryeministri Edi Rama: Aeroporti i Vlorës jemi afër përfundimit po nuk jemi në përfundim, ky është problemi.
– S’ka rëndësi, do të përdorim Tiranën.
Kryeministri Edi Rama: Edhe kemi pistën që po mbyllet po kemi akoma probleme me terminalin për arsye të furnizimeve.
– 25 është i shitur , tani ne mbyllim 26 këtu. Fillojmë chartera nga Gjermania. Dje ka ardhur konfirmimi. Schausland fillon fluturimin/ operimim me garanci në Shqipëri që është super lajm, me shumë probabilitet edhe Der Touristik.
Kryeministri Edi Rama: vetëm se kur kemi ardhur vjet që kemi bërë gjithë ato biseda, na shikonin akoma me një lloj skepticizmi gjermanët, ë?
– Nuk ka, mbrëmë u zhveshën nga çdo lloj dyshimi, nuk kam fjalë. Speech ishte një kryevepër , u prezantua një Shqipëri që edhe pse ne jemi përpjekur ta prezantojmë, nuk ia kemi dalë dot ta prezantojmë aq bukur sa u prezantua mbrëmë. Domethënë ishte një mozaik që kishte kapur çdo lloj cepi, edhe ato anët e errëta që ne dikur i mbulonim bukur, me stil, s’ka më anë të errëta ashtu, është sukses. Ky panair ka mbaruar. Sinqerisht e them, ka mbaruar pa filluar akoma. Dje u mbyll.
Kryeministri Edi Rama: Jo, realisht jemi në një situatë që jo s’kemi qenë kurrë, por që do ishte vështirë të imagjinohej vetëm pak vite më parë, pak fare. Po ju them prapë, që vjet kur kemi ardhur këtu, ka qenë jo e lehtë, ka qenë situatë goxha skeptike, kemi bërë shumë biseda por vera e vjetshme na ka çliruar shumë. Kanë ardhur shumë nga këta pararojat e vëzhgimit për të parë dhe arritëm në afro 400 mijë turistë gjermanë dhe këtë vit synojmë që të kapërcejmë gjysmë milionëshin të paktën turistë gjermanë. Po turistët gjermanë janë vërtetë një lloj testi shumë domethënës sepse janë të ngadaltë në marrjen e vendimit përpara se të hyjnë në një vend pastaj janë komplet “pushtues’’, kështu që janë turistë që shpenzojnë në mënyrë domethënëse, janë turistë që vijnë me të gjitha pretendimet, të gjitha kategoritë. Janë ata që ngjiten nëpër male, janë ata që rrinë shtrirë gjerë e gjatë në diell kështu që kjo është shumë gjë e mirë që na ka ndodhur por nga ana tjetër imazhi. Imazhi ka ndryshuar shumë dhe mbrëmë ka marrë një formë shumë të plotë, edhe në aspektin e proceseve të tjera, të respektit, të dinjitetit, të anëtarësimit në BE. Po, patjetër edhe të anëtarësimit në BE, është pak po e sigurtë që përmes turizmit, disa vende përpara nesh e thyen atë akullin dhe kapërcyen malin e paragjykimeve që për ne ka qenë vargmal, nuk ka qenë mal.
“Ç’ flet broçkulla”, thotë.
Po pse po flas broçkulla o xhan? Ça broçkullash po dëgjon ti për shembull? Të duket broçkull që Shqipëria është vendi i nderit në panairin global të turizmit në Berlin, që është panairi më i madh në botë? Që deri dje nuk na afronin as deri tek dera dhe kur vinim me përpjekje vullnetare siç e dëgjove, po nuk e ke dëgjuar se s’e ke pasur mendjen se je çuar që në mëngjes me idenë për të hedhur helm këtu. Po gjithsesi nuk ka rëndësi. Deri dje kur vinim kështu vullnetarisht, i fusnin nëpër ca cepa që nuk dukeshin fare. Shiko sot, sot jemi në qendër, 800 metra katrorë të qendrës në zemër të panairit. Vendi i nderit, Shqipëria. Çfarë broçkulle? Po çfarë broçkulle e ke fjalën?
“Vazhdo mos u dorëzo”.
Po si të dorëzohem, ku të dorëzohem, pse të dorëzohem? Nuk ka dorëzim sepse s’ka as temë për dorëzim këtu. Kjo është një betejë që do e çojmë deri në fund dhe e di fundin, për mua të paktën se për Shqipërinë nuk ka asnjëherë fund, se Shqipëria do të jetë në jetë të jetëve po për mua fundi është kur këtë këtu që shikoni, këtë që shikoni këtu prapa meje, ta marrim dhe ta vendosim tek tryeza e Bashkimit Evropian. Albania aty dhe Franca, Gjermania, Holanda, Danimarka, të tjerët të jenë aty bashkë në një tryezë dhe emrat e të gjithëve aty kanë një peshë, kanë një forcë, kanë një kuptim, anëtar të barabartë të familjes Europiane. Ky është misioni dhe përpara përfundimit të këtij misioni, jo dorëzimin që nuk ka, po s’ka pushim, s’ka gjumë, s’ka asnjë lëkundje dakord, kështu që. Dakord faleminderit për inkurajimin, por nuk kam asnjë problem të kësaj natyre.
“A do ta kaloni oqeanin”?
Unë? Unë me oqeanin nuk kam pasur probleme ti i dashur, po ti qenke zgjuar në kënetë sot. Paske fjetur në kënetë dhe qenke zgjuar në kënetë. Unë me oqeanin nuk kam pasur probleme dhe të jesh i sigurt që e kaloj oqeanin sa herë të dua, edhe mos u çudit fare kur ta shikosh, jo do ta ta kaloj, po s’po flas më shumë se dua t’ia lëmë kohës se dua të të bëj një surprizë të këndshme ty dhe kënetës bashkë, dakord? Ah i shkreti unë ça na gjeti, a e kalon oqeanin thotë?
“Hajdutët e popullit do të kandidojnë prapë, më hajdutet do të shkojmë drejt Europës, si ka mundësi zoti Rama? Ata prapë po kandidojnë”.
Është zgjedhje shumë, shumë e qartë kësaj here miku im, nuk ka qenë më e qartë edhe për faktin se në 11 maj Shqipëria do të vendosë të gjitha forcat e veta për të realizuar anëtarësimin dhe zgjedhja përmes votës është dramatike, është tmerrësisht e qartë, po tmerrësisht e qartë. Ose një votë për mua dhe për ne bashkë për Shqipërinë 2030 për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian ose një votë për kënetën e për tu kthyer prapë në gropën e kua, kua, kuave, gjë që s’ka për të ndodh kurrë. Po kush do ta hedhi votën në atë drejtim do t’i bjeri në qafë fëmijëve të vet, fëmijëve që nuk votojnë dhe fëmijëve që garancinë e të ardhmes së tyre e presin nga prindërit që votojnë, do ti bjerin në qafë shumë shumë keq. Shumë keq për një tifozllik absurd. Na ishte njëherë Partia Demokratike, na ishte njëherë hajde se po ua jap këtë që na ishte njëherë, megjithëse unë se kam dash asnjëherë, edhe kam pas gjithë të drejtën që mos ta dua, se sa herë i ka rënë në dorë Shqipëria e ka “kashtë e kokërr”, po na ishte, nuk është më kjo. Kjo është kënetë me një buf edhe gjithfarë lloj speciesh. Prisni të shikoni kur tu shfaqet ajo lista e deputetëve, edhe shifni pak atë listën e mbyllur, aty mu përqendroni pak, ajo lista e mbyllur e kënetës është: -Doni ju, s’doni ju specie më të ulta të politikës, speciet më të ulta të faunës politike, prapë aty do t’i keni – thotë këneta. Kështu që ju si të doni.
“A mund të takohemi nga afër”?
Po nëqoftëse jeni këtu hajde dhe ta pijmë një kafe këtu në Berlin. Do jem edhe për pak se pas pak do nisemi për Shqipëri.
“Pse nuk kemi oferta të përbashkëta turizmi me Kosovën”? Duhet ti kemi, duhet ti kemi, sigurisht që duhet ti kemi dhe shpresoj që tani që edhe zgjedhjet mbaruan atje, do të ketë fokus më shumë tek disa gjëra të tjera që do t’i bëjmë. Është koha të jemi shumë afër, është koha të jemi shumë bashkë, është koha të jemi mish e thua, jo thjeshtë me zemër, se me zemër ashtu kemi qenë dhe ashtu jemi, por edhe me mendje.
Si je? Çfarë bën mirë? Si dukesh? Hajde pak këtu, prezantohu.
– Përshëndetje unë jam Klajdi Qato. Përfaqësoj hotelet Epidam që ndodhen në Durrës dhe Golem, është viti i tretë për ne që kemi ardhur në Berlin, çdo vit vjen duke u rritur pjesëmarrja dhe ka pas një feedback shumë të mirë në hoteleri. Nga takimet e vjetshme dhe të sivjetshme ka kompani angleze që na kanë ardhur që janar shkurti që ne kemi qenë thuajse bosh për hir të së vërtetës, sivjet jemi 40% të kapacitetit dhe vetëm me anglez.
Kryeministri Edi Rama: Po me gjerman?
Klajdi Qato: Gjerman më pak, fillojmë tani prill – maj.
Kryeministri Edi Rama: Prandaj kemi ardhur të kapim sa më shumë gjerman
Klajdi Qato: Patjetër të gjithë.
Kryeministri Edi Rama: “Ku e gjen energjinë thotë”? Cilën energji. Tani nuk kemi më vetëm energji hidro, kemi edhe nga dielli por energjinë më të madhe e dini ku e gjej apo jo? Që të ta them shumë copë meqë jemi këtu me njëri tjetrin e s’na dëgjon njeri tek hakmarrja, tek hakmarrja, dua të marr hak, dua të marrim hak. Kanë poshtëruar shumë gjatë, shumë shumë gjatë. Na kanë poshtuar të huajt, na kanë poshtuar tanët me dhjetëra e dhjetëra vite, tani është koha të marrim hak. Dhe a e dini çfarë është? Është fantastike të marrim hak duke u ulur në tryezën e Bashkimit Europian aty, bam. Njësoj, të barabartë me të tjerët edhe duke i bërë për lezet në fillim atë shenjën: Kishe na i gjo! Ja kjo ma jep energjinë që ta dish, nuk ma jep asgjë tjetër energjinë, kjo ma jep. Të bëjmë histori së bashku, se në fund si për mua që jam 2 metra, si për ty që nuk e di sa je, po 2 nuk je njëherë, 2 metra gropë kemi në fund fare, asgjë s’mbetet përveç emrit dhe kujtimit të mirë që lemë në këtë botë dhe ia kemi borxh fëmijëve tanë që të mos u trashëgojmë poshtërimin.
Kryeministri Edi Rama: Ja shiko këto nuk janë nga Zvicra, janë nga Shqipëria. Futu pak në kamera të lutem.
– Unë jam Uendi.
Kryeministri Edi Rama: Shif këta të fecebookut se janë më të politizum, këta janë më rock&roll.
– Ju përshëndesim nga Berlini Unë vij nga Shkodra dhe përfaqësojmë Shqipërinë denjësisht.
Kryeministri Edi Rama: çokollatat ju i keni bërë?
– Po çokollatat ne i kemi bërë.
Kryeministri Edi Rama: Shife ca çokollatash. Doni të merrni një çokollate, Fute dorën. hajde, hajde ja meqë u bëre xheloze urdhëro, prezantohu.
– U bëra pak xheloze sepse mund të jem nga të vetmit njerëz që nga prapaskenat e historive që kanë ndodhur këtu.
Kryeministri Edi Rama: Urdhëro fol, tregoi prapaskenat.
– Nuk e patëm të thjeshtë në fakt me të gjithë gjermanët se e patën të vështirë të merrnin dy komanda bashkë. Ndërsa ne jemi product oriented për të nxjerrë gjithmonë rezultatet më të mira dhe gjermanët ishin gjithmonë aty një mal i vendosur, një shkëmb i hekurt i cili na bënte pengesa, të cilët na bënin pengesa në çdo moment.
Kryeministri Edi Rama: Nuk na shihin dot me sy, shkurt muhabeti.
– Edhe këtë diskutim e patëm edhe me CEO-n Débora, ju e njihni kolegen tonë Débora Ruth, e cila ka bërë absolutisht një punë të jashtëzakonshme, por që do të na duhej të bënim e-maile shumë të gjata, qëndresa shumë të forta të gjithë bashkë për t’ia dalë të paktën atje ku ne e kishim projektuar gjithë këtë projekt prej dy vitesh tashmë. Bashkë kemi dy vite më parë që e kemi diskutuar në stendën e ITB Berlinit ftesën kur të mundnim të ishim sot këtu dhe është bërë realitet. Me ministren prej dy vitesh kemi negociuar fort, në çdo moment që ta kishim dhe ta bënim të mundur.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro: Mirëmëngjesi të gjithëve! Është një atmosferë fantastike këtu në stendën shqiptare. Praktikisht, janë mbi 100 operatorë, të cilët po prezantojnë, janë gati të prezantojnë të gjithë paketat, intineraret për të bërë gati kontratat. Nuk është një punë e lehtë. Ajo që është e rëndësishme dhe fjala që na ka bashkuar të gjithëve është dinjiteti, pra prezantimi nga të gjithë tour-operatorët privatë me dinjitet, prezantimi nga shteti shqiptar me dinjitet, prezantimi i ofertës kulturore me dinjitet. E kishim, por kishim nevojë dhe ta tregonim dhe kishim nevojë edhe të na e konfirmonim. Praktikisht, sot jemi në të gjitha mediat, në të gjithë hotelet, në të gjithë stendat prezente.
Kryeministri Edi Rama: Kjo është atmosfera këtu, por vetëm të shihni se çfarë bëhet këtej, vetëm të shihni se çfarë bëhet këtu përballë meje – se nuk jua kthej dot ekranin, – por është plot me kamera këtu, me gazetarë. Këta thonë çfarë është ky këtu, çfarë bën ky këtu. Eh, nuk na i dinë hallet fare, kemi ardhur nga rrugë e gjatë, nuk na i dinë hallet.
“Poshtë këneta që nxin Shqipërinë”.
Këneta poshtë është, por kujdes se kush zbret poshtë. Puna është të ngjitemi lart, të vijnë të gjithë lart me ne, të ngjiten lart.
“Përshëndetje zoti kryeministër. Të hiqet pengesa e lejeve për kioskat e makinave me qera. Kioska të denja”.
Këtë fjalën kioskë unë e kam pak problem, por nëse ke të drejtë duhet ta diskutosh me instancat përkatëse sepse nuk jam unë që ta zgjidh unë këtë punë dot. Kioskat i kam problem të madh, e dini ju. Nuk i shoh dot me sy.
“Nuk ke nevojë me bë reklamë në Greqi sepse dhe të ma falësh Greqinë nuk shkoj më atje por rregullo ekonominë në Shqipëri që të gjithë të kthehen”.
Dëgjo, ekonomia rregullohet duke kontribuar të gjithë, i dashuri im, kështu që unë nuk dua që të më dëgjosh mua, unë dua të shohësh faktet e ekonomisë, dua të shohësh sesi janë ata që janë ngulur në vendin e vet dhe punojnë dhe investojnë. Ata të shohësh e të shohësh se çfarë pagash marrin reale, konkrete, interesohu. Kjo historia “Rregulloje ti që të vijmë ne” është paksa shtrembër, dakord?
“Në Dhërmi hodhën mbi 5milionë euro për të rregulluar shtëpitë e fshatit të cilët e mbajnë veten për grekë kurse shtëpitë tradicionale të Beratit dhe Gjirokastrës janë lënë në mëshirë të fatit”.
Po po vetëm bonuset që kemi dhënë për shtëpitë e Gjirokastrës dhe Beratit, nuk je i informuar, por duhet të shohësh fotografi si ishte Berati i vjetër dhe si është sot, si ishte kalaja dhe si është sot, si ishte Gjirokastra që po binin të gjitha një nga një në heshtje dhe nuk vinte jehona në Tiranë fare e gjithë tërfëllimave dhe shembjeve të shtëpive. Gjirokastra sot po shkëlqen me investime pafund, hapet mesatarisht çdo dy javë një derë e re, një bujtinë e re, një mikpritje që bëhet më e madhe, më e gjerë. Çfarë po thua, aman pse kështu? Po dhe nuk keni faj se ku do t’i merrni vesh këto ju në kenetë, tek këneta mediatike që ju flet vetëm për histori, lërë mos ta hapim se jemi mirë kështu.
“Që prej 2013 gjermanët thuajse kanë pritur 500 mijë shqiptarë, të cilët janë larguar si pasojë e keqqeverisjes tënde prandaj sot aty mos bëj si karagjoz se na njohin gjermanët mirë”.
Tani problemet me aritmetikën, ju që flisni në emër të kënetës, i keni shumë të rënda sepse ju ka lënë Luli me një traumë të madhe dhe pastaj futët dhe bufin në mes dhe ju nuk merrni më vesh se çfarë flisni.
Që nga viti 2012 deri në vitin 2024 12 vjet,sipas Cencusit në total janë 400 mijë që kanë lëvizur e as 1 milionë e as 2 milionë dhe Shqipëria nuk është 1 milion, është 2,4milionë sot që flasim dhe ata që kanë lëvizur janë në të drejtën e tyre të lëvizin sepse nuk jemi më në bunkerin e shokut Enver, nuk jemi më as piramidat e Buf Rrapushit.
Jemi në një botë të lirë kështu që më vjen shumë keq për ty, por nëse të duket se kjo që Shqipëria po bën këtu sot është një karagjozllëk atëherë aq më keq për ty i dashur. Je komplet viktimë e kënetës.
(në live hyn Manjola Kaso, përgjegjëse për zhvillimin e aviacionit dhe për marketingun e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës)
-Përshëndetje jam Manjola Kaso, Përgjegjëse për zhvillimin e aviacionit dhe për marketingun e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës: Mendojmë që ky është një oportunitet i jashtëzakonshëm për ne si aeroport. Po shikojmë mundësitë për të takuar partnerët tanë ekzistues për të zhvilluar marrëdhëniet më tej, por po shikojmë gjithashtu mundësitë që të takojmë partnerë të rinj potencialë për të zhvilluar më tej rrjetin ndërlidhës që aeroporti ndërkombëtar i Tiranës ka dhe për ta çuar më tej lidhjen tonë me botën. Viti 2024 ka qenë një ndër vitet më të suksesshme tonat me 10,7 milionë pasagjerë deri në fund të dhjetorit, 113 destinacione dhe 28 linja ajrore direkte.
Sivjet do shtojmë edhe tre partnerë të tjerë ajrorë, të cilët i kemi të konfirmuar të cilët janë Izraelitet kemi Vuelin dhe kemi tre destinacione të reja të konfirmuara kështu që jemi shumë të lumtur dhe shpresojmë shumë që ky vit të jetë akoma dhe më i suksesshëm. Kemi një objektiv për të kapur, 12 milionë pasagjerë.
Kryeministri Edi Rama: Do t’i kapim se s’bën!
Ja Ilva, figura nga bregu i detit të Kavajës që me tre kalamaj po, me shtepitë edhe bashkëpunimet me komunitetin për t’iu hapur dyert për të marrë turistë po, me turizmin institucional po. Po sa e fortë paske qenë!
Ilva: Ne kemi shembullin më të mirë faktikisht. Nëse nuk do ishte personalisht për këtë burrin këtu, Ilva nuk do i linte kalamajtë dhe Golemin, komunitetin dhe kafen te bregu i detit për t’u marrë me turizimin institucional. Por ndiej detyrimin për ta bërë shumë mirë këtë punë që me është dhënë nga ai zotëria që punon 24 orë, nuk e di si ia bën.
Kryeministri Edi Rama: Ja Pepa Rent (kompani) ku është këtu!
Përfaqësuesi i Kompanisë: Jo vetëm Pepa Rent, por edhe turizëm. Unë jam inxhinier që prej 9 vitesh kemi lënë punën dhe kemi filluar turizmin. Falë teje, jo për kompliment turizmi në mbarë Shqipërinë dhe sidomos Kosova po ndihmohet nga turizmi jonë.
Kryeministri Rama: Duhet të shkojmë sepse tani kanë ardhur autoritetet. Autoritetet mund dhe të presin se autoriteti më i madh jeni ju këtu megjithatë me mirëkuptimin tuaj po e ndërpresim këtë Sy m’sy pak si ndryshe sot, jo pak por shumë ndryshe edhe ju falënderoj./K.K