Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka ftuar Donald Trump të vizitojë vendin e tij përpara çdo marrëveshjeje me Rusinë për t’i dhënë fund luftës.
“Ju lutemi, përpara çdo lloj vendimi, çdo lloj forme negociatash, ejani të shihni njerëz, civilë, luftëtarë, spitale, kisha, fëmijë të shkatërruar ose të vdekur”, tha Zelensky në një intervistë për programin 60 Minuta të CBS.
Intervista u regjistrua përpara se një raketë ruse të godiste qytetin e Sumy, duke vrarë 34 persona dhe duke plagosur 117 të tjerë.
Rusia tha se godet vetëm objektiva ushtarake ose të lidhura me ushtrinë, ndërsa Trump tha se i ishte thënë se ishte një gabim, pa specifikuar se kush ia kishte thënë. I pyetur për sulmin, presidenti amerikan tha se ishte “i tmerrshëm” dhe se atij “i ishte thënë se ata bënë një gabim.”
Më herët, i dërguari i posaçëm i Trump për Ukrainën, gjenerali në pension Keith Kellogg, tha se sulmi kishte kaluar “çdo vijë të mirësjelljes”. Megjithatë, mbetet të shihet nëse Trump do ta pranojë ftesën e Zelenskit.
Udhëheqësit evropianë dënuan sulmin në Sumy. Merz, i cili pritet të marrë detyrën si kancelar i ri i Gjermanisë muajin e ardhshëm, i tha transmetuesit publik të vendit ARD se sulmi përbënte një “krim të rëndë lufte”.
“Ishte një akt perfid.. dhe është një krim i rëndë lufte, i qëllimshëm,” tha politikani konservator. Ndërkohë, kancelari në largim i Gjermanisë, Olaf Scholz, tha se sulmi tregoi “aq sa vlente gatishmëria e supozuar e Rusisë për paqe”.
Presidenti francez Emmanuel Macron akuzoi Rusinë për “mospërfillje të hapur të jetëve njerëzore, ligjit ndërkombëtar dhe përpjekjeve diplomatike të Presidentit Trump”./E.S