Last Updated on 06/11/2026 by EL
Komisioni Evropian ka propozuar krijimin e një Fondi të Solidaritetit për Migracionin deri në vitin 2027, me synimin për të mbështetur shtetet anëtare që përballen me flukse të larta migratore. Në mesin e vendeve të identifikuara si përfituese të mundshme të ndihmës janë Greqia, Qiproja, Italia dhe Spanja.
Propozimi u prezantua në Bruksel nga Komisioneri Evropian për Çështjet e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner, në kuadër të nisjes së Ciklit të dytë Vjetor të Menaxhimit të Migracionit të Bashkimit Evropian.
Sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, katër vendet janë nën presion migrator për shkak të numrit të lartë të mbërritjeve gjatë vitit të kaluar. Në rastin e Italisë, vëmendje e veçantë i është kushtuar mbërritjeve pas operacioneve të kërkim-shpëtimit në det, ndërsa për Spanjën është përmendur edhe situata në Ceuta.
Fondi i ri synon të vendosë një mekanizëm më të drejtë të ndarjes së përgjegjësive mes vendeve anëtare, duke ndihmuar shtetet që përballen me një barrë më të madhe për shkak të migracionit.
Në bazë të Paktit të Migracionit të BE-së, shtetet anëtare do të mund të kontribuojnë përmes zhvendosjes së azilkërkuesve në territorin e tyre, mbështetjes financiare, kompensimit të përgjegjësive, masave alternative ose një kombinimi të këtyre mekanizmave.
Vendimi përfundimtar për madhësinë e fondit dhe kontributet që do të japë secili shtet do t’i takojë Këshillit Evropian. Pas miratimit, angazhimet financiare dhe kontributet e solidaritetit do të bëhen publike dhe ligjërisht të detyrueshme.
Ndërkohë, Komisioni Evropian ka identifikuar edhe 15 shtete të tjera anëtare që rrezikojnë të përballen me presion migrator. Këto vende do të kenë akses prioritar në mekanizmin e përhershëm të BE-së për mbështetjen dhe menaxhimin e migracionit./ET