Një studim i fundit pohon se ekziston një numër ‘ideal’ i fëmijëve se sa duhet të ketë një grua që të ruajë njëkohësisht dhe shëndetin mendor. Edhe pse përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje mund të jetë subjektive, një psikologe hedh dritë mbi atë nëse kjo ide qëndron mbi baza shkencore apo është thjesht një mit.
Sipas një studimi të publikuar në ‘Journal of Affective Disorders’, numri optimal i fëmijëve për mirëqenien mendore të një gruaje është dy. Studimi thekson se të kesh dy fëmijë lidhet me nivele më të mira të shëndetit mendor, dhe këtë e mbështet edhe analizimi i mëtejshëm i psikologes klinike Amelie Bouchobza.
Kërkimi është zhvilluar nga Universiteti Suzhou, ku janë analizuar të dhëna nga rreth 55,000 gra në Britani. Rezultatet treguan se gratë me dy fëmijë kishin ekuilibër më të mirë mendor. Nga ana tjetër, gratë me një fëmijë ose pa fëmijë përballeshin me një rrezik më të lartë për çrregullime mendore, ndërsa ato me më shumë se dy fëmijë përjetonin një rënie të këtij rreziku.
“Të kesh dy fëmijë mund të jetë e dobishme për shëndetin mendor të grave. Lindjet duket se veprojnë si një faktor mbrojtës kundër çrregullimit bipolar dhe depresionit të rëndë.” thuhet në studim.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se kjo nuk është një formulë universale. Sipas Amelie Bouchobza, faktorët që ndikojnë në mirëqenien e një nëne përfshijnë më shumë sesa thjesht numrin e fëmijëve.
“Është e vërtetë që një fëmijë i vetëm kërkon më shumë vëmendje dhe prani, pasi prindërit janë të vetmit që i transmetojnë përvojat dhe përkujdesjen. Kur janë dy, ata ndërveprojnë me njëri-tjetrin dhe kjo shpesh e lehtëson rolin prindëror,” shpjegon ajo.
Por pse disa gra ndihen të përmbushura me shumë fëmijë, ndërsa të tjera përjetojnë lodhje mendore edhe me vetëm një?
“Nuk është çështje kompetence si nënë, por më shumë e rrethanave, burimeve në dispozicion dhe gjendjes mendore,” thekson Bouchobza. Ajo nënvizon se studimi i vendos në qendër mirëqenien e nënave një aspekt shpesh i neglizhuar.
“Shëndeti mendor i grave ka rëndësi. Amësia nuk duhet të nënkuptojë humbje të vetvetes apo zhdukje të identitetit si grua,” përfundon psikologja./ S,M