Last Updated on 23/04/2025 by adminfjala
Trajneri Simone Inzaghi sot është i detyruar që të bëjë rrotacion për ndeshjen gjysmëfinale të Kupës së Italisë kundër Milanit. Lodhja e madhe, mungesat e shumta dhe kalendari i ngjeshur bëjnë që numri një i zikaltërve të mos ketë shumë mundësi zgjedhjesh. Për më tepër, rëndësia e ndeshjes është një tjetër element për t’u marrë në konsideratë.
Në portë do të rikthehet Martinez, i cili me të drejtë është “graduar” portieri i Kupës dhe nuk ka bërë paraqitje negative. Përpara tij, do të marrë një fanellë titullari Jan Bisseck, i cili në sfidën kundër Bolognës u fut shumë keq dhe devijoi topin që solli golin e Orsolinit.
Bashkë me të, edhe De Vrij do të jetë nga minuta e parë. Bastoni e ka detyrim që të jetë titullar dhe ndoshta do të luajë 90 minuta ose më shumë, sepse është i skualifikuar për duelin me Romën në fundjavë. Në mesfushë, pritet që të jetë pushim Barela për të parë nga minuta e parë Fratessin, ndërkohë që Çalhanoglu dhe Mkhitaryan do të formojnë treshen. Nga krahët, priten dyshja Darmian-Dimarco. Në sulm do të rikthehet i Arnautoviç, i cili në Kupë ka bërë shumë mirë dhe me eksperiencën e tij duhet të ndihmojë skuadrën. Lautaro do të jetë partneri i tij.
Trajneri Coinceicao nuk do të ndryshojë formacion, pavarësisht se në sfidën e fundit Milani i tij humbi kundër Atalantës. Kështu do të konfirmojë mbrojtjen me 3, ku do të luajnë Tomori, Gabbia dhe Pavloviç. Nga krahët, do të jenë Jimenez dhe Theo Hernandez, të cilët kanë lirshmëri më të madhe për të sulmuar, sepse i kanë krahët e mbuluara dhe gabimet e tyre mund të korrigjohen nga Pavloviç dhe Tomori.
Në qendër të mesfushës, do të luajnë Reijnders me Fofana që formojnë një dyshe interesante me teknikë dhe forcë. Ndërkohë që Leao bashkë me Pulisiç, do të mbështesin Abrahamin. Ky i fundit është një nga lojtarët më të rrezikshëm në këtë sezon kundër Interit. m.p.