Last Updated on 21/10/2026 by Monika
FIFA ka ndëshkuar Federatën Spanjolle të Futbollit pas thirrjeve antiislame të një grupi tifozësh gjatë miqësores mes Spanjës dhe Egjiptit, të zhvilluar në mars, në kuadër të përgatitjeve për Kupën e Botës 2026.
Sipas BBC-së, Spanja duhet ta zhvillojë miqësoren e radhës me 15 për qind të kapacitetit të stadiumit të mbyllur, kryesisht në tribunat prapa portave, si dhe të paguajë një gjobë prej 20 mijë dollarësh.
Gjatë ndeshjes, e cila përfundoi 0:0, disa tifozë spanjollë brohoritën slogane diskriminuese, përfshirë thirrjen “Kush nuk kërcen është mysliman”.
Mesazhe kundër diskriminimit u shfaqën në ekranet e stadiumit, por një pjesë e tifozëve reaguan me fishkëllima.
Federata Spanjolle i dënoi publikisht thirrjet, ndërsa përzgjedhësi Luis de la Fuente i cilësoi ato si “të patolerueshme”.
Megjithatë, në mbrojtjen e saj para FIFA-s, federata argumentoi se thirrjet nuk përbënin sjellje diskriminuese. Komiteti disiplinor e hodhi poshtë këtë pretendim.
Ndëshkimi vjen në kuadër të përpjekjeve të futbollit ndërkombëtar për të luftuar racizmin dhe diskriminimin në tribuna. Federata Egjiptiane gjithashtu i dënoi thirrjet, duke i cilësuar si një akt racist të papranueshëm./mxh
