Është gjetur celulari i Ilaria Sulës, 22-vjeçares shqiptare të vrarë në Romë mes datës 25 dhe 26 mars nga ish i dashuri i saj filipinas, Mark Samson.
Telefoni u gjet në banesën në rrugën Homs, në lagjen afrikane, ku ndodhi edhe krimi makabër pas informacioneve të dhëna nga Mark Samson.
Hetuesit kanë gjetur dhe sekuestruar celularin e viktimës, që do t’i nënshtrohet ekspertizës.
Ilaria Sula, e cila studionte në Universitetin Sapienza në Romë, u godit me thikë nga ishi i saj në banesën e tij. Në shtëpi ishin edhe prindërit e 23-vjeçarit në momentin që ndodhi vrasja.
I riu e vendosin trupin në një valixhe dhe më pas e hodhi nga një shkëmb pranë Bashkisë Poli.
Shqiptarja u zhduk më 25 Mars, ndërsa trupi i saj i pajetë u gjet më 2 Prill. Mark Samson, pasi e vrau studenten 22-vjeçare, përdori celularin e saj për t’u dërguar mesazhe familjarëve të Ilarias, si edhe për të bërë postime në rrjetet e saj sociale, që t’i bënte të besonin se ajo ishte mirë dhe se ishte larguar me dëshirë.
Vrasësi pretendonte se e kishte hedhur në një puset pak ditë pasi e vrau Ilaria Sulën, por celulari u gjet në banesën e tij, një tjetër gënjeshtër e Mark Samson e hedhur poshtë.
Deri më 1 prill celulari i viktimës ishte aktiv dhe pikërisht qelizat e telefonit dërguan hetuesit tek Mark Samson, për të zbuluar më pas edhe të vërtetën tronditëse.
Telefoni i 23-vjeçari është sekuestruar gjithashtu dhe po ekzaminohen bisedat si edhe SMS-të e tij në rrjetet sociale.
Nëna e tij Nors Manlapaz është gjithashtu nën hetim, e akuzuar për bashkëpunim në fshehjen e një kufome. Roli i babait të Samsonit, si edhe disa miqve dhe të afërmve që mund ta kenë ndihmuar ose e kanë mbuluar atë në orët pas krimit, është ende duke u shqyrtuar./E.S