Kryeministri Edi Rama, së bashku me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, vizitoi sot hapësirat e reja të Spitalit dhe u takua me mjekë e personel ndihmës.
“Jemi në spitalin psikiatrik të Vlorës, në të cilin ne kemi ndërhyrë, duke rikonstruktuar dhe ndërtuar nga e para dy shtëpi t’i quajmë, të mbrojtura për pacientët, të cilët vuajnë nga problematika të shëndetit mendor. Godina ku jemi, shërben për pacientët burra me një kapacitet prej 60 shtretërish dhe po e njëjta gjë është kryer dhe në godinën që shohim aty poshtë për pacientet gra, ku ofrohet një shërbim i specializuar për të gjithë ata pacientë që trajtohen këtu. Spitali është ndërtuar në 1926 dhe ka qenë një strukturë e amortizuar, e pa vënë dorë asnjëherë. Në 2015 ndërhymë më strukturën e pacientëve akutë dhe në urgjencën mjekësore.” – informoi Ministrja Koçiu , ndërsa shtoi se: “Në këtë strukturë punojnë 132 personel shëndetësor, -mjekë dhe infermierë dhe shërbim mbështetës. Investimi i parë është kryer në 2015 me ndërhyrjen në struktrurën që akomodon ato pacientë që kanë nevojë për trajtim akut, ndërkohë që dy shtëpitë e mbrojtura, pra kjo për pacientët burra dhe ato gra, janë ndërtuar nga e para me një fond nga buxheti i shtetit me një vlerë prej 2.66 milionë euro, sigurisht edhe me pajisje dhe me gjithçka tjetër.” – u shpreh ajo.
Në Spitalin e ri psikiatrik ofrohet një shërbim i specializuar, jo vetëm në trajtimin psikik po edhe në terapi psikologjike me ekipe multidisiplinare.
Lidhur me këtë Ministrja Koçiu theksoi se tashmë ka ndryshuar dhe mënyra si trajtohen pacientët me problematika të shëndetit mendor, duke i krijuar atyre kushte sa më pranë komunitetit dhe duke i rehabilituar me qëllim që të mos ndihen të izoluar. m.p.