Last Updated on 22/10/2026 by Klara
Deputeti socialist Pirro Vengu ka ironizuar qëndrimin e Partisë Demokratike ndaj protestave të ditëve të fundit, duke e akuzuar opozitën se po përpiqet të hyjë politikisht në një lëvizje që fillimisht u paraqit si revoltë studentore.
Në një reagim në rrjetet sociale, Vengu e lidhi mbështetjen e PD-së për protestën me kërkesën e saj për një qeveri “kujdestare”, duke thënë se opozita kërkon ta përdorë revoltën si rrugë për t’u rikthyer në pushtet.
“Opozita që përfundoi në Lanë dhe është zbuar disa herë nga dera e madhe e përfaqësimit, tani kërkon të hyjë në protestë nga dritarja”, shkroi Vengu.
Ai ironizoi edhe Sali Berishën, duke e krahasuar me “ujkun e përrallës që pudros putrën që t’i hapin derën”.“Rininë e do për maskë, protestën për shkallë dhe qeverinë për strehë”, shkroi deputeti socialist.
Reagimi i Pirro Vengut:
Sot, dy mesazhe që duhen lexuar bashkë.
Opozita që përfundoi në Lanë dhe është zbuar disa herë nga dera e madhe e përfaqësimit, tani kërkon të hyjë në protestë nga dritarja.
Ndërkohë, grupi parlamentar i PD-së kërkon një qeveri «kujdestare». As teknike, as teknokratike: kujdestare. Pra, një qeveri me PD-në brenda.
Dhe Saliu, si ujku i përrallës që pudros putrën që t’i hapin derën, përpiqet të na shfaqet si mishërimi i rinisë. Rininë e do për maskë, protestën për shkallë dhe qeverinë për strehë.
Një opozitë që ka frikë nga protesta, por kërkon të strehohet në qeveri./k.m
