Last Updated on 01/05/2025 by adminfjala
Në vigjilje të zgjedhjeve të 11 majit, kur demokratët presin të ndodhë rotacioni i shumëpritur i pushtetit, sikurse ka dalë dhe shprehja “është radha jonë”, del në pah një akt tradhëtie politike, përndryshe nga interesat e tyre. Është fjala për marrëveshjen e lobimit të PD në SHBA përmes kompanisë “Continental Strategy”, që duket se i shërben vetëm interesit të Sali Berishës dhe familjes së tij, por jo ardhjes së PD në pushtet apo largimit të Edi Ramës nga pushteti. Ja disa arsye. Kjo marrëveshje e menduar se do mbetej në një farë mënyre jo publike, përsa kohë që as aleatët e PD, por dhe strukturat e saj zyrtare, Kryesia apo Këshilli Kombëtar, apo dhe anëtarët e grupit parlamentar nuk kishin dijeni, është projektuar me një kohështrirje 2 vjeçare dhe vlerë totale prej 6 milion dollarësh dhe nuk kishte fare në objekt zgjedhjet e 11 majit.
Sikur të mos e kishte bërë publike kolegu gazetar Klodian Tomori, marrëveshja me një fondacion që krijohet në Amerikë vetëm një javë para nënshkrimit, lë hije të forta dyshimi për mënyrën, formën dhe qëllimin e saj. Të gjithë tani po pyesin si shpjegohet që të paguhet një shumë kaq e madhe prej 6 ml dollarësh, sikurse thuhet në objektin e kontatatës, për rigjenerimin e marrëdhënieve të PD me SHBA, në një kohë kur një shumë e tillë mund të përdorej për fushatën dhe nevojat elektorale që do t’i jepnin goxha hov opozitës në zgjedhje? Pra është fiks si ajo shprehja popullore “lëmë dasmën e shkojmë për shkarpa”. 6 ml dollarë nuk janë pak, madje dhe 750 mijë dollarë sa ç’është parapagimi është një shumë vërtetë e ndjeshme dhe e madhe për fushatën elektorale dhe rritjen e fuqisë elektorale të opozitës.
Atëherë përse këto para të “patriotëve shqiptarë” në Amerikë nuk u përdorën për të ndihmuar opozitën të fitojë zgjedhjet, por po na u përdorkan për të pastruar dhe rivitalizuar marrëdhëniet e PD me administratën amerikane?! Përgjigjja është po aq e kuptueshme dhe e thjeshtë. Grupit Berisha&co pra besnikëve shërbëtorë të tij, nuk i intereson fitorja e PD-së në zgjedhje, por pastrimi i figurës nga dizenjimi “non grata” në Shtetet e Bashkuara i bossit dhe familjarëve të bossit. Ndërkohë kjo nxjerr në pah edhe një qëllim akoma më meskin dhe intrigant, që përveç se Berisha e di dhe duket që parashikon humbjen në zgjedhje, projekton të vijojë kontrollin familjar të partisë edhe pas dështimit në 11 maj./e.t