– Nga rrëshqanorë të korridoreve e zyrave të partisë, në ofiqarë të lartë pushteti –
Nga Sejdin Cekani
Partitë politike në Shqipëri, me përjashtime gjithnjë e më të rralla, më së shumti janë kthyer në organizime ku nuk ka më ide, por përpunohet dhe ripërtypet konformizmi. Tanimë të gjithë e kanë kuptuar se ato nuk përfaqësojnë aspak interesat e qytetarëve, por vetëm të kastave të tyre të mbyllura. Në këto oaze të çuditshme, ku vendin e mendimit dhe të ideve e zë besnikëria ndaj individit, gjejnë strehë e bubërrojnë një mori tipash që nuk dallohen as për ndonjë lloj militantizmi kushedi çfarë, as për integritet e as për ndonjë lloj vizioni, por kanë aftësinë për t’u përshtatur, për të hyrë në çdo derë e për t’u përkulur deri në dysheme.
Janë pikërisht këta që mund të quhen, pa ndonjë teprim të madh, rrëshqanorët e pushtetit. Ata nuk janë thjesht individë të korruptuar apo të paaftë, sepse këta janë tashmë kategori të njohura, por një tipologji më e rafinuar dhe më e rrezikshme: njerëz pa bosht, pa kujtesë politike dhe pa përgjegjësi morale. Mbi të gjitha, mbijnë pa u kuptuar, pikërisht atëherë kur mund të përfitojnë diçka. Ata nuk udhëhiqen nga bindjet, por veprojnë sipas interesave. Po ashtu, nuk mbrojnë ndonjë ide, por ndjekin dhe gjuajnë çdo mundësi nëpër korridoret e politikës. Dhe pikërisht kjo, aftësia për t’u futur në çdo skutë, për t’iu ngjitur pas kujtdo, për të dhënë e për të marrë informacion, i bën të nevojshëm, e mbase të domosdoshëm, në një sistem që e ka humbur koherencën.
E vërteta është se vetë sistemi partiak i prodhon dhe i shpërblen këta individë. Në një mjedis ku meritokracia shihet si kërcënim dhe integriteti si pengesë, ngjitja në karrierë nuk lidhet me aftësinë për të ndërtuar, por me gatishmërinë për t’u nënshtruar. Në vend të ideve, kërkohet bindje e verbër dhe në vend të karakterit kërkohet “përkulshmëri” morale. Sepse rrëshqanori nuk ka ide, por ndjek vetëm drejtimin e erës. Dhe era në politikën shqiptare fryn gjithmonë nga pushteti.
Kësisoj krijohet njëfarë mekanizmi vetëpërsëritës: partitë përzgjedhin më të përkulshmit, më të bindurit dhe më të gatshmit për të flakur çdo parim në emër të përfitimit. Këta, nga ana e tyre, e forcojnë këtë logjikë sapo marrin pozita vendimmarrëse, duke përjashtuar këdo që mund të prishë ekuilibrin e tyre të brishtë. Dhe në këtë mënyrë, sistemi mbyllet për të prodhuar gjithnjë e më shumë nga e njëjta kategori individësh rrëshqanorë. Nga ana tjetër, këta anonimë skutash e korridoresh, servilë e puthadorë të shefave që iu janë ngjitur pas këpucës, me të marrë postet e synuara, fillojnë të vjedhin e të pasurohen pa u ndalur.
Ky cikël i njohur tashmë është bërë pothuajse i pandryshueshëm. Në opozitë, rrëshqanorët shfaqen si kritikë të zjarrtë, si moralistë të papërkulur, si denoncues të çdo abuzimi. Fjalori i tyre mbushet me terma, si “shtet ligjor”, “transparencë”, “luftë kundër korrupsionit”. Por sapo kalojnë pragun e pushtetit, retorika zëvendësohet nga praktika dhe shpesh kjo është një kopje edhe më e shëmtuar e asaj që ata vetë denonconin dje.
Atëherë ndodh transformimi i vërtetë: këta individë, nga kritikë bëhen përfitues ose, për ta thënë më troç: bëhen hajdutë. Nëse dje ishin denoncues, tanimë bëhen “administratorë” të së njëjtës skemë, duke u shndërruar përfundimisht nga moralistë në të korruptuar. Dhe kjo nuk ndodh për shkak të ndonjë dobësie individuale të rastësishme, por sepse ata janë formatuar pikërisht për këtë funksion. Rrëshqanori nuk tradhton veten, kur ndryshon qëndrim. Ai thjesht i qëndron besnik natyrës së tij.
Pasoja e këtij realiteti është e shumëfishtë dhe e thellë. Së pari, politika humbet funksionin e saj përfaqësues dhe shndërrohet në një mekanizëm shpërndarjeje përfitimesh për një rreth të ngushtë. Së dyti, administrata publike mbushet me individë që nuk e shohin veten si shërbëtorë të qytetarëve, por si përfitues të një rasti të rrallë. Dhe, së treti, qytetari, i zhgënjyer dhe i lodhur, fillon të tërhiqet nga pjesëmarrja në politikë, duke ua lënë fushën edhe më të lirë këtyre individëve, të cilët ndërkaq veprojnë pa asnjë lloj pengese.
Pyetja që lind natyrshëm është: pse vazhdon ky cikël? Pse të gjithë si shoqëri e shohim dhe e përjetojmë këtë realitet, po nuk arrijmë ta shmangim? Përgjigjja nuk është e thjeshtë, sepse rrëshqanorët e pushtetit kanë krijuar sistemin e tyre dhe për sa kohë që servilizmi i tyre shpërblehet, integriteti duket si luks i panevojshëm.
Megjithatë, një sistem që mbështetet mbi rrëshqanorë është, në thelb, një sistem i paqëndrueshëm. Sepse mungesa e parimeve nuk prodhon stabilitet, por vetëm një ekuilibër të përkohshëm interesash, i cili prishet sapo ndryshojnë rrethanat. Gjithsesi problemi nuk është që të njohim se cilët janë rrëshqanorët e pushtetit, por të zbulojmë pse ata vazhdojnë të jenë kaq të nevojshëm për sistemin. Derisa të zhbëhet kjo nevojë dhe mekanizmi që i mban ata të paprekur, çdo ndryshim do të jetë sipërfaqësor dhe çdo reformë do të jetë e parealizueshme ose tejet e kufizuar dhe e kushtëzuar.
