Last Updated on 03/05/2025 by adminfjala
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka lëshuar një paralajmërim të qartë lidhur me keqpërdorimin e vizave turistike nga prindër të huaj që synojnë të lindin fëmijët në territorin amerikan për të përfituar nënshtetësinë e fëmijës.
Ky fenomen, i njohur si “turizmi i lindjes”, është cilësuar si i papranueshëm dhe i dënueshëm sipas ligjit të emigracionit të SHBA-së.
Në deklaratën e saj, Ambasada thekson se aplikimet për viza që evidentojnë këtë qëllim refuzohen nga oficerët konsullorë dhe se individët që abuzojnë me sistemin mund të humbasin përfundimisht të drejtën për të marrë vizë apo për të udhëtuar drejt SHBA-ve në të ardhmen.
“Turizmi i lindjes” jo vetëm që konsiderohet keqpërdorim i sistemit të emigracionit, por edhe një barrë e padrejtë ndaj taksapaguesve amerikanë që mbulojnë shpesh shpenzimet për kujdesin shëndetësor të këtyre rasteve.
“Është e papranueshme që prindër të huaj të përdorin një vizë turistike amerikane me qëllimin parësor për të lindur në Shtetet e Bashkuara që të sigurojnë nënshtetësinë për fëmijën, çka mund të përfshijë edhe shpenzime për kujdesin mjekësor që mbulohen nga taksapaguesit amerikanë. Ky njihet si “turizmi i lindjes” dhe oficerët konsullorë të ShBA refuzojnë të gjitha aplikimet për viza të tilla sipas ligjit të emigracionit të ShBA. Ata që keqpërdorin sistemin tonë të emigracionit përmes turizmit të lindjes mund të humbasin të drejtën për viza në të ardhmen ose për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara. Kjo është një mënyrë më shumë se si Departamenti Amerikan i Shtetit po u shërben dhe mbron taksapaguesit dhe komunitetet amerikane”, u shpreh ambasada amerikane./E.S