Last Updated on 06/06/2025 by adminfjala
Nga Shpëtim Luku
Në tregun shqiptar të sigurimeve, një nga ngjarjet më domethënëse të vitit 2024 ishte rikthimi i Avni Ponarit në pronësi të shumicës së aksioneve të SIGAL, përmes riblerjes së tyre nga gjiganti austriak UNIQA. Ky zhvillim shënon një kthesë që nuk është vetëm financiare apo strategjike, por është edhe personale, emocionale dhe ndoshta simbolike.
UNIQA ishte kompania e parë ndërkombëtare që hyri në tregun shqiptar të sigurimeve, një hap që u bë i mundur falë vizionit të Avni Ponarit, themelues i SIGAL dhe një nga pionierët më të spikatur të sektorit pas viteve ’90. Kur ai vendosi të shesë pjesën më të madhe të aksioneve te kjo kompani austriake, qëllimi nuk ishte thjesht kapitalizimi i një suksesi, por mbi të gjitha rritja cilësore e SIGAL-it, përmes përvojës dhe ekspertizës së një partneri me reputacion ndërkombëtar.
Dhe në fakt, SIGAL pati përfitime të konsiderueshme gjatë kohës që ishte pjesë e grupit UNIQA, nga rritja e standardeve të operimit, tek përmirësimi i portofolit të produkteve, deri te një kulturë më solide korporative. Por gjithçka ndryshoi në vitin 2024, kur UNIQA vendosi të tërhiqej nga tregu shqiptar dhe Avni Ponari ribleu aksionet, duke rikthyer SIGAL-in nën kontrollin e tij të drejtpërdrejtë.
A ishte ky vendim thjesht racional? Apo ishte më tepër një akt i lidhur me zemrën, me ndjenjën e përgjegjësisë ndaj një krijese që nuk mund të lihej në duar të panjohura? Për UNIQA, largimi nga Shqipëria mund të shihet si një veprim i natyrshëm: erdhën, fituan, dhe ikën. Për Avni Ponarin, kthimi te SIGAL nuk është thjesht një transaksion, por është një kthim në shtëpi.
Kjo histori nuk është e zakonshme. Nuk është as thjesht një “exit” dhe një “re-entry” në gjuhën e zakonshme të korporatave. Është një dëshmi e një lidhjeje të rrallë mes themeluesit dhe kompanisë së tij. Është nostalgji, është dhembshuri, është një përpjekje për të garantuar që SIGAL – një ndër markat më të qëndrueshme dhe të respektuara të biznesit shqiptar – të ketë një të ardhme të ndritur, por mbi të gjitha autonome dhe e mbrojtur nga aventurat e panjohura.
Në një treg ku shitjet dhe blerjet ndodhin shpesh për arsye taktike, ky veprim ka një domethënie tjetër. Ai flet për besnikëri ndaj një vizioni fillestar, për rëndësinë e kujdesit afatgjatë ndaj një kompanie të krijuar vetë.
Avni Ponari, me këtë kthim, nuk ka thjesht riblerë një kompani. Ai ka riafirmuar një përgjegjësi, një mision dhe ndoshta edhe një ëndërr që nuk ka reshtur kurrë së jetuari brenda tij: që SIGAL të jetë gjithmonë një emër i lidhur me cilësinë, stabilitetin dhe zhvillimin, nën kujdesin e atyre që e duan vërtet.
…Avni Ponari nuk po riblen një ëndërr të shuar, por një strukturë të ndërtuar me themel, që sot është e gatshme të nisë një kapitull të ri, ndoshta edhe më ambicioz se i mëparshmi. Dhe kush tjetër përveç krijuesit të saj mund ta udhëheqë më mirë këtë rrugëtim?
Sepse Avni Ponari është, me plot gojën, një nga njerëzit më largpamës dhe më të guximshëm që ka njohur ndonjëherë tregu i sigurimeve në Shqipëri dhe më gjerë. Ai ka ditur gjithmonë me saktësi se ku dëshironte të arrinte dhe ka punuar me ngulm për ta bërë realitet atë vizion.
Një episod i vogël, por shumë domethënës: një ditë, teksa shëtiste në Romë me një mik të tij, i dolën përpara zyrat qendrore të kompanisë më të madhe italiane të sigurimeve, GENERALI. Pa u menduar gjatë, iu kthye mikut dhe i tha:
“Edhe unë SIGAL-in, si GENERALI do e bëj.”
Nuk ishte një shprehje euforie. Ishte një shprehje e një vizioni të kthjellët, i rrallë në atë kohë për një treg të sapolindur si ai shqiptar, por që sot, me kalimin e viteve, është dëshmuar si një profeci e vetërealizuar. E ndërtuar mbi ambicie reale, mbi një filozofi pune dhe mbi një ndjenjë personale për kompaninë që themeloi.
Ky vizion ka pasur gjithmonë edhe një dimension ndërkombëtar. Avni Ponari ishte i pari që solli investime amerikane në tregun shqiptar të sigurimeve përmes SIGAL-it, dhe ndër vite ka ndërtuar një reputacion të rrallë për drejtim, menaxhim dhe mbajtje të fjalës ndaj klientëve dhe partnerëve. Sot, SIGAL është një emër që gëzon respekt të plotë në tregjet globale të sigurimeve – ku kompani prestigjioze si Swiss Re, Hannover Re, Munich Re, SCOR e të tjera janë partnerë të besueshëm dhe afatgjatë të saj.
Në tregun shqiptar dhe rajonal, dhjetëra produkte e shërbime inovative të sigurimeve janë futur për herë të parë pikërisht nga SIGAL, dhe janë administruar me profesionalizëm.
Për këtë arsye, edhe CEO i grupit UNIQA, në momentin e largimit, deklaroi qartë:
“SIGAL po i kthehet krijuesit të saj. Dhe askush më mirë se ai nuk do të dijë të gjejë partnerë të tjerë të shumtë që shumë shpejt do të shfaqin praninë e tyre në SIGAL, për ta çuar këtë industri drejt një roli të ri: si shtylla e tretë e zhvillimit ekonomik të një vendi.”
Rikthimi i SIGAL-it nën drejtimin e Avni Ponarit nuk është fundi i një cikli. Është fillimi i një etape të re, ku përvoja, reputacioni dhe vizioni do të bashkohen për të ndërtuar një model sigurimesh që tejkalon kufijtë e Shqipërisë.
