Last Updated on 15/06/2025 by adminfjala
Mjekët në Indi kanë konfirmuar se janë gjetur 270 trupa të pajetë në vendin e rrëzimit të avionit në qytetin Ahmedabad, që ndodhi të enjten. Aeroplani, i cili ishte nisur me destinacion Londrën, u rrëzua në një zonë të banuar pak minuta pas ngritjes, duke shkaktuar një nga fatkeqësitë më të rënda ajrore të viteve të fundit.
Nga 242 pasagjerët që ndodheshin në bord, vetëm një person ka mbijetuar – një 40-vjeçar britanik, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në spital. Autoritetet indiane janë duke punuar për të përcaktuar numrin e saktë të viktimave në tokë, pasi aeroplani goditi disa banesa para se të përplasej plotësisht.
Procesi i identifikimit të viktimave është i ngadalshëm dhe kërkon krahasimin e mostrave të ADN-së me të dhënat e familjarëve, ndërsa autoritetet po vijojnë ende punën për saktësimin e numrit të persoave që humbën jetën duke mos qenë në avion, por në zonën ku ai u përplas.
Zyrtarët kanë thënë se shumë prej trupave janë në gjendje të dëmtuar rëndë, gjë që e vështirëson ndjeshëm procesin e konfirmimit të identiteteve.
Në nder të viktimave, janë mbajtur vigjilje përkujtimore në disa qytete në Indi dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe ka ngritur shqetësime për sigurinë ajrore në rajon. Autoritetet ndërkombëtare dhe agjencitë e aviacionit po hetojnë shkaqet e aksidentit./e.t