Kryeministri i ardhshëm i Hungarisë, Péter Magyar njoftoi sot se i ka propozuar presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky një takim, në fillim të muajit qershor, me synimin për të “hapur një kapitull të ri” në marrëdhëniet dypalëshe dhe për të zgjidhur një mosmarrëveshje – që lidhet me të drejtat e minoritetit hungarez në perëndim të Ukrainës.
Sipas një postimi në Facebook, Magyar ka sugjeruar që takimi të zhvillohet në qytetin Berehove, në rajonin e Transkarpatisë, një zonë kufitare ku jeton një komunitet i konsiderueshëm hungarez.
Marrëdhëniet mes Budapestit dhe Kievit janë përkeqësuar ndjeshëm vitet e fundit, veçanërisht gjatë qeverisjes së kryeministrit në largim Viktor Orban, i cili mbajti qëndrim nacionalist dhe shpesh bllokoi vendime të rëndësishme të Bashkimit Evropian, përfshirë ndihmat financiare për Ukrainën dhe sanksionet ndaj Rusisë.
Magyar, pas fitores së tij në zgjedhjet e 12 prillit ndaj Orbanit, i ka hequr këto veto.
Ai theksoi se takimi i propozuar synon përmirësimin e situatës së hungarezëve në Transkarpati, një rajon me lidhje historike me Hungarinë që strehon një minoritet hungarishtfolës.
Ai i bëri thirrje Kievit të heqë kufizimet ligjore që, sipas tij, janë në fuqi prej më shumë se një dekade – lidhur me përdorimin e gjuhës hungareze në arsim – duke kërkuar garantimin e plotë të të drejtave kulturore, gjuhësore dhe arsimore për këtë komunitet.
“Nëse këto çështje zgjidhen, mund të hapim një kapitull të ri në marrëdhëniet mes Ukrainës dhe Hungarisë”, tha Magyar./mxh
