Last Updated on 17/06/2025 by adminfjala
Endri Shabani, kreu i Nismës Thurje kërkon zgjedhje të parakohshme në Bashkinë e Tiranës. Duke cituar ligjin, ai thotë se kryebashkiaku socialist që ndodhet prej 4 muajsh prapa hekurave duhet të ishte shkarkuar dhe data për zgjedhjet e reja duhet të ishte shpallur.
“Erion Veliaj duhet shkarkuar! Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka vendosur sërish sot që Erion Veliajn do të qëndrojë në burg. U bë më shumë se 4 muaj që ai e ka marrë karriken e kryetarit me vete. Deri kur do tolerojmë që kryeqyteti i Shqipërisë, dhe mbi 1 milion banorë të qeverisen nga burgu?
Edhe për sa kohë do qëndrojë Tirana pa kryetar bashkie?! Nuk ka më asnjë justifikim, as ligjor dhe as moral Këshilli Bashkiak Tiranë të mos kërkojë shkarkimin e tij.
Ligji i pushtetit vendor, neni 62, na detyron të veprojmë. Tirana nuk është pronë private as e Veliajt dhe as e PS-së. Tirana nuk mund të qeveriset nga burgu, dhe qytetarët nuk mund të trajtohen si spektatorë në një teatër absurd”, shkruan Endri Shabani, kreu i Nismës Thurje.
Erion Veliaj u arrestua në zyrën e Bashkisë më 10 shkurt si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Ai akuzohet së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, se ndërtuan një mekanizëm kompleks korruptiv për të përvetësuar fondet publike, të cilat transferoheshin në formë ryshfeti nga kompani kontraktore dhe OJF përfituese të fondeve të Bashkisë së Tiranës. m.p.