Kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka reaguar për ngjarjen e sotme në Theth, duke u shprehur se kryeministri Edi Rama është kujtuar vonë për këtë fushatë për shtesat pa leje.
“Shumë mirë që e prishën atë zhgarravinën në Theth. Duhen prishur shumë zhgarravina të tilla. Duhen proceduar dhe ata punonjësit e administratës që i lejojnë. Gjithsesi le t’i themi të vërtetat si janë!
Kryeministri ka 185,000 të punësuar në shtet dhe sillet sikur sapo ka zbritur për herë të parë nga avioni në këtë vend. Bën sikur tani po kupton se çfarë ndodh këtu! Dhe ku?! Në një vend ku, sapo ndonjë nënë del të shesë dy tufa spinaq, i dalin përpara shtatë lloje policish nga katër anët.
Ky, që para zgjedhjeve përmes zgjatimeve të tij u thotë njerëzve: “Ndërtoni pa leje”, në këmbim të votës, dhe pas zgjedhjeve, sa për show, shemb ndonjë karrakatinë, duke larë duart si Ponc Pilati, ndërkohë që legalizon mijëra të tjera nga ana tjetër. Po tallet me të gjithë!” – shkruan Lapaj. m.p.