Walt Whitman do ta urrente këtë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Elisa New

Në vitin 1865, poeti Walt Whitman pyeti:

O ç’të vendos në muret e dhomës?

Dhe ç’piktura të var nëpër mure,

Për të stolisur shtëpinë e varrit të atij që dua?

Gjithmonë i kam dashur këto tri vargje nga elegjia e Whitman-it “Kur lule vjollcat çelin në prag”, të shkruar në pranverën pas vrasjes së Abraham Lincolnit. Kam menduar për to këto ditë, teksa shënojmë 249-vjetorin e miratimit të Deklaratës së Pavarësisë. Këto rreshta përmbledhin pyetjen thelbësore që duhet ta shtrojë çdo artist dhe figurë publike që beson se idealet amerikane ia vlejnë të ruhen: Si t’i nderojmë, kujtojmë dhe mësojmë nga e kaluara jonë kombëtare? Dhe si t’i përcjellim vlerat thelbësore të së kaluarës për qytetarët e së ardhmes?

Kam pasur parasysh Whitman-in këtë pranverë, teksa kemi parë administratën Trump dhe Departamentin e saj për Efiçencën e Qeverisë (DOGE) të shpërbëjnë infrastrukturën kulturore të vendit. Këto shkurtime të pamenduara dhe të pamatura kanë prekur bibliotekat tona dhe muzetë, institucionet e medias publike, këshillat lokale për artet dhe shkencat humane, si dhe fondacionet prej dekadash — përfshirë Fondacionin Kombëtar për Artet (NEA) dhe Fondacionin Kombëtar për Shkencat Humane (NEH) — që kanë siguruar mbështetje për 60 vitet e fundit. Këto institucione janë pikërisht ato që kemi ngarkuar me detyrën për të “varur pikturat në muret e dhomës kombëtare”; ato janë ngritur mbi parimin se një vend i madh dhe një qytetërim i madh ka nevojë për vetëkuptim — dhe se ky vetëkuptim nuk vjen nga politikanët apo buxhetet e Kongresit, por nga veprat që mbeten, që lidhin të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen.

Ishte pikërisht besimi në një “mençuri dhe vizion” që i tejkalon momentet politike të çastit ai që çoi në krijimin e Fondacionit Kombëtar për Shkencat Humane. Edhe vetë fjala “fondacion” është një shprehje e atij besimi. NEH u themelua në vitin 1965 si pjesë e programit të Shoqërisë së Madhe të Presidentit Lyndon Johnson. Misioni i tij fillestar u përkufizua në gjuhën ligjore të Kongresit që shpalli krijimin e këtij institucioni. I përkushtuar ruajtjes së vlerave më të përhershme e universale të demokracisë, NEH kishte për synim të siguronte dhe të forconte udhëheqësinë e Amerikës në botë. Siç theksonte qartë formula e themelimit të tij, kjo udhëheqësi nuk duhet të mbështetet “vetëm në forcën, pasurinë apo teknologjinë superiore”, por në “cilësitë e larta të kombit si udhëheqës në sferën e ideve dhe të shpirtit”.

Lexo edhe :  A do prishet Muri i Berlinit në Tiranë

Çfarë janë këto vlera qytetëruese dhe si duhej t’i përkrahte NEH, ka qenë gjithmonë çështje interpretimi nga drejtuesit e saj, të caktuar nga presidentë të partive të ndryshme. Megjithë dyshimet e përhershme të disa republikanëve mbi të dy fondacionet (NEA dhe NEH), të gjithë kanë kontribuar që kultura jonë të bëhet më e pasur dhe më e gjerë sesa ç’ishte më parë.

Kështu, William Bennett, i emëruar nga Presidenti Ronald Reagan, e vendosi “moralin” dhe vlerat perëndimore në qendër të programit të tij, duke kritikuar grante të dhëna më parë për projekte që ai i quante të majta. Megjithatë, ai gjithashtu krijoi seminarët e dashur verorë për mësuesit dhe publikoi vëllimet e para të koleksionit madhështor Library of America.

Lynne Cheney, drejtuese e NEH nga viti 1986 deri më 1993, ishte një nga kritiket e para të fenomenit të ri kulturor — korrektësisë politike — por nën drejtimin e saj Ken Burns mori financimin për dokumentarin The Civil War, një nga seritë më të rëndësishme televizive të të gjitha kohëve.

Jon Parrish Peede, i emëruar nga Presidenti Trump për të drejtuar NEH në vitin 2018, në fakt e rriti buxhetin e fondacionit — të cilin DOGE tani propozon ta eliminojë tërësisht.

*Elisa New është regjisore dhe moderatore e emisionit “Poetry in America” në PBS

Burimi: New York Times/ Përgatiti për botim: L.Veizi

Të fundit

13 korrik 1985 – Live Aid: Kur muzika iu përgjigj urisë botërore

Përgatiti: Leonard Veizi Në një ditë të nxehtë korriku, kur ajri mbi qytetet përvëlonte rrugët dhe njerëzit kërkonin hijet e...

Fluksi i mjeteve, njësi të posaçme policore në zonat me numër të lartë turistësh

Mirëmenaxhimi i trafikut gjatë sezonit turistik si dhe minimizimi i numrit të ngjarjeve rrugore, ka bërë që Policia Rrugore të krijojë disa Njësi të...

Gjermani: Kontributet e sigurimeve deri në 50%?

Ekonomisti dhe anëtar i Këshillit të Ekspertëve të Ekonomisë Gjermane, Martin Werding, ka thënë se punonjësit duhet të përgatiten për kontribute të sigurimeve shoqërore...

Banorët e Thethit mblidhen këmbëkryq para kishës, prifti drejton kuvendin

Prania e IKMT-së dhe forcave policore në Theth për shembjen e strukturave, duket se ka bërë bashkë banorët si një herë e një kohë. Banorët,...

Besa Kokëdhima zbulon planet për dasmë: Nuk dua të më ngelë gjë peng

Besa Kokëdhima ka ndarë disa nga momentet më të ndjera të jetës së saj personale në një intervistë televizive. E qeshur dhe e sinqertë,...

Lajme të tjera

Web TV