Last Updated on 10/07/2025 by adminfjala
Adriatik Lapaj u shpreh sot për Report TV se do vijojë misionin politik të nisur me Shqipëria Bëhet dhe se një ditë ata do e drejtojnë Shqipërinë.
Ai komentoi largimet nga partia së fundmi, mes tyre edhe kandidati Azmer Duleviç, inxhinieri elektrik që e humbi mandatin në qarkun e Fierit më 11 maj vetëm për një grusht votash. Lapaj tha se nuk mban njeri me forcë, teksa u kundërpërgjigj me lajmin se po bëhen anëtarësime të reja në parti, mes tyre edhe anëtarë të PS-së.
Ai nënvizoi se ka nisur një tur falenderimesh për votuesit, duke filluar nga Dimali ku morën 15% vota, shifra më e lartë, si dhe në zonat bujqësore ku partia u votua më shumë. Lapaj mohoi bashkëpunimin me PD në të ardhmen, ashtu sikurse nuk e ndalin as shantazhet, kërcënimet apo blerjet nga pushteti.
“Ne do luftojmë dhe punojmë fortë që një ditë të drejtojmë dhe ndryshojmë Shqipërinë. Kemi dëshirën, bindjen dhe idealin të palëkundshëm, një ditë do ta drejtojmë Shqipërinë, një ditë ajo do drejtohet nga ne. Nuk do të kemi bashkëpunim me PD-në. Nuk më shantazhojnë dot, nuk më kërcënojnë dot, nuk më ndalin dot dhe as na blejnë dot. Unë bukë e kos ha në darkë, të jenë të qetë, gjumin e bëj rehat. Ai parlament atje nuk tregon asgjë”, tha kreu i Shqipëria Bëhet, që pret të jetë deputet i Parlamentit në shtator, pasi është i pari në listën e hapur të Tiranës me më shumë vota, por që të ndodhë kjo duhet të refuzojnë mandatin 12 emrat e listës së mbyllur të koalicionit, ku tashmë një prej tyre, Zeqir Kordhoni, po reziston që ta bëjë.
Por tani duket se ‘plaga’ e largimeve ka prekur edhe partinë e tij, teksa e minimizoi këtë problematikë politike, duke deklaruar se po bëhen anëtarësime të reja, edhe të njerëzve me peshë, por pa dhënë emra. Për kandidatin Duleviç ai tha se në Fier votat i mori partia.
“Kjo është një rrugë e njerëzve të lirë. Nuk i mbajmë dot njerëzit as me dhunë, as me forcë. Nëse mendojnë nëse më ndalin në rrugën time, e kanë gabim. Nuk ka kthim pas. Zoti Duleviç ka marrë 1700 vota, partia i ka marrë votat atje në Fier, 9 mijë vota, ka dhe vota të kandidatëve të tjerë. Kemi anëtarësime të reja, madje edhe nga PS kanë ardhur te partia jonë, njëri është drejtor në Berat”, u shpreh Lapaj. m.p.
