Last Updated on 14/07/2025 by adminfjala
Në mbledhjen me deputetët dhe drejtuesit e bashkisë së Tiranës, kryeministri Edi Rama ka komentuar aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje në Theth, duke u shprehur se në këtë zonë turistike situata është më serioze sesa shihet në pamje të parë.
Rama theksoi se ndërhyrja nuk është drejtuar ndaj “të shkretëve”, por ndaj personave që, sipas tij, kanë pushtuar në mënyrë të paligjshme një zonë të mbrojtur për përfitime ekonomike.
“Këtu nuk bëhet fjalë për disa njerëz të shkretë, që kanë hequr bukën e gojës për të ndërtuar. Në shumë prej rasteve, nuk kemi të bëjmë as me banorë të zonës”, tha Rama.
Rama u ndal edhe te debatet publike mbi aksionin e IKMT-së. Sipas tij po tentohet të zhvendoset përgjegjësia tek institucionet shtetërore që nuk e kanë parandaluar ndërtimin pa leje.
“Nuk mund të ketë një teori që amniston shkelësit e ligjit, duke ia hedhur fajin shtetit pse nuk i ka ndaluar më herët. Sigurisht që edhe strukturat e shtetit kanë përgjegjësi dhe ajo përgjegjësi është marrë përsipër, por kjo nuk i justifikon shkeljet flagrante”, shtoi Rama.
Në fund të deklaratës, ai u shpreh i vendosur se qasja e qeverisë do të jetë e njëjtë edhe në të ardhmen, për të mbrojtur zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë natyrore e kulturore të vendit./e.t